23:22 / E Hënë, 25 Tetor 2021 / AR

Dënimi i ulët për dhunën seksuale ndaj të miturës, reagim i fuqishëm nga deputetja Statovci

Deputetja e Kosovës, Jeta Statovci ka reaguar për dënimin me tetë muaj burgim të akuzuarin P.K për dhunimin e një vajze 15-vjeçare në Gjakovë.

Ajo tha se ky rast dhe rastet tjera janë prova më bindëse për vetting në sistemin e drejtësisë, raporton Indeksonline.

Sipas Statovcit, të korruptuarit, të ndikuarit, joprofesionistët nuk kanë vend në sistem të drejtësisë.

Njoftimi i plotë:

Trishtuese të dëgjosh se si sistemi ynë i drejtësisë shqipton kufirin më të ulët të ndëshkimit penal për raste flagrante të dhunës seksuale mbi një të mitur. Pa kaluar as një ditë e vetme, menjëherë shohim dhunë mbi një grua në një nga qendrat e biznesit të kryeqytetit.

Skena dhune mbi gra, që trishtojnë. E megjithatë drejtësia kosovare ende ndihet komode sa të mos e konsideroj dhunën ndaj grave si një fenomen që po degradon gjithnjë e më shumë, por e trajton atë si një vepër afër të rëndomtës. Është më shumë se e qartë se politika penale e ndëshkimore e ndërtuar mbi joprofesionalizëm, nepotizëm, ndikim politik dhe ekonomik ka krijuar ndjenjën e pandëshkueshmërisë për disa kategori të kryerjes së krimeve, e një nga këto, është trajtimi i rasteve të dhunës ndaj grave që po merr përmasa gjithnjë e më të frikshme.

Rasti i djeshëm me dënimin me 8 muaj burg për dhunë seksuale dhe rasti i sotëm i dhunës në qendrën e biznesit në Prishtinë, janë prova më bindëse për vetting në sistemin e drejtësisë. Të korruptuarit, të ndikuarit, joprofesionistët nuk kanë vend në sistem të drejtësisë.