Dënimi me burgim dhe dhe ndalesa e aktiviteteve politik, Dodik paralajmëron hakmarrje

Presidenti i Republikës Serbe, Millorad Dodik, ka bërë të ditur se ky entitet serb në Bosnjë e Hercegovinë do të “hakmerret” pas vendimit përfundimtar që e dënon atë me një vit burgim dhe ndalesë prej gjashtë vjetësh për ushtrim të aktivitetit politik.
“Populli i Republikës Serbe duhet të ruajë qetësinë dhe të mobilizohet me institucionet tona. Askush nuk mund të përmbysë vullnetin e qytetarëve. Republika Serbe e ka forcën për të luftuar mbrapsht përmes hapave politikë, pasi nëse nuk vepron ashtu, kërcënohet nga rreziqe më të mëdha”, ka shkruar Dodik në një postim në X, më 3 gusht.
Dodik nuk e ka specifikuar se çfarë veprimesh politike do të ndërmerren.
Më 1 gusht, Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës e ka dënuar Dodikun me një vit burgim dhe ndalesë prej gjashtë vjetësh në ushtrim të aktivitetit politik për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të lartë.
Dodik është shpallur fajtor për nënshkrim të një dekreti që shpallte ligje të cilat përfaqësuesi i lartë, Christian Schmidt, i ka anuluar paraprakisht.
Përmes këtyre ligjeve, trupat legjislativë në Republikën Serbe kanë tentuar të parandalonin zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës dhe përfaqësuesit të lartë në entitetin serb të Bosnjës.
Pas vendimit të 1 gushtit, Dodik ka thënë se nuk e pranon padinë penale për “mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të lartë”, për çka është dënuar nga Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës.
Ai i ka bërë publike vendimet e reja të Asamblesë Kombëtare të Republikës Serbe, të cilat, sipas tij, përcaktojnë “plan konkret për rrugën përpara”, pa specifikuar se për çfarë vendimesh bëhet fjalë.
“Të gjitha vendimet tona do të jenë politike, Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës e ka diskualifikuar veten si trup ligjor”, ka thënë Dodik.
Ai ka thënë se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme në Republikën Serbe.
Avokati i Dodikut, Goran Bubiq ka thënë të premten në një konferencë për media se do ta apelojë vendimin në Gjykatën Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës.
“Ne do të kërkojmë masë të përkohshme për pezullim të vendimit derisa të merret vendimi nga Gjykata Kushtetuese”, ka thënë Bubiq, duke përmendur se këta janë hapa të nevojshëm nëpër të cilët duhet kaluar derisa lënda të arrijë te Gjykata Evropiane për të Drejta të Njeriut.
Pasi të jetë njoftuar me vendimin përfundimtar, Dodiku duhet të pranojë një thirrje për zbatim të dënimit me burgim.
Menjëherë pas thirrjes pason vendimi i Komisionit Qendror Zgjedhor të Bosnjë e Hercegovinës, i cili duhet të marrë vendim për ndërprerjen e mandatit të tij si president i Republikës Serbe.
Sipas Ligjit zgjedhor të Bosnjë e Hercegovinës, mandati i një zyrtari të zgjedhur përfundon “në datën kur vendimi gjyqësor, që e dënon me burgim prej gjashtë muajsh, ose më shumë, bëhet i formës së prerë”. /REL