11:47 / E Mërkurë, 18 Maj 2022 / B O

Dënimi ndaj Gucatit e Haradinajt, reagon ish-kryeministri Haradinaj: Qëndroni të fort, lufta për liri vazhdon!

Ramush Haradinaj është lideri i parë politik që ka reaguar pas dënimit të Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt nga Gjykata Speciale me nga 4 vite e gjysmë burg.

Haradinaj u ka bërë thirrje dy-ish luftëtarëve të lirisë që të qëndrojnë të fort.

“Sot u dënuan krerët e OVL të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.
Do i them pak fjalë për Nasimin.
Stërgjyshi i tij, Xhemajli i parë, pjesëmarrës në shumë luftëra kundër pushtuesve u vra në Gjakovë te kulla e Abdullah Pashë Drenit, në mbrojtje të Lidhjes së Prizrenit.
Gjyshi i tij, Xhemali i dytë, pjesëmarrës në të gjitha luftërat për liri. Bashkëshortja e tij, gjyshja e Nasimit, ishte bijë e Tishukëve, familje e njohur atdhetare në Dukagjin e Kosovë.
Babai i tij, Smajl Haradinaj, luftëtar i paepur për të drejtën e shqiptarëve, pjesëmarrës në lëvizjet antijugosllave dhe për bashkim me Shqipërinë, i burgosur politik mbi 20 vjet.
Nana Myzaqet, vëllau Naimi, motrat Shqipja e Naimja, bashkëshortja Xhejlanja, e veçanërisht vëllai i vogël Agroni që vuan nga një sëmundje e rëndë, e kuptojnë dhe e ndjejnë peshën e vendimit të sotëm, sepse nuk janë brezi i parë që përballohen me sfida të tilla.
Bashkëluftëtarë Hysni e Nasim, qëndroni të fortë. Lufta për liri e shtet vazhdon” shkruan Haradinaj në reagim./Indeksonline/