Dënohen drejtorët në Mamushë, e larguan pa arsye një punëtor, për të punësuar një familjar të tyre

Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur vendimin ndaj dy të akuzuarve, Cafer Morina ish-drejtor i Arsimit në Mamushë dhe Rifat Krasniqit drejtor i shkollës “Ataturk” për shkak të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Vendimi u shpall më datë 8 prill 2023, ku dy të akuzuarit pranuan fajësinë për veprën e lartëpërmendur, marrëveshje kjo me Prokurorinë Themelore në Prizren dhe Departamentit për Krime të Rënda.
Sipas këtij vendimi që ka siguruar Indeksonline, për të dy, Cafer Morina dhe Rifat Krasniqi fillimisht u vendos dënimi me burg në kohëzgjatje prej 6 muaj për secilin.
Mirëpo, në konsultë me mbrojtësit e tyre u dha pëlqimi që dënimet me burg prej 6 muajve të zëvendësohen me dënim me gjobë. Pra, i zëvendësohet dënimi me gjobë në shumën prej 1700 euro.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, Cafer Morina si drejtor i arsimit në Komunën e Mamushës dhe Rifat Krasniq si drejtor i shkollës “Ataturk”, akuzohen se në periudhën kohore 1 nëntor 2020 – 23 nëntor 2020, në kohë të pacaktuar, duke shfrytëzuar detyrën ose autoritetin zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre, me qëllim që të shkelin të drejtat e personit tjetër Ramadan Shanli, duke mos zbatuar qëllimisht ligjin mbi punësimin.
Sipas aktit akuzues, këtë e kanë bërë në atë mënyrë që të pandehurit themelojnë marrëdhënie pune me mësimdhënësit Kenan Morina dhe Fahri Morina në shkollën e mesme “Ataturk”, si dhe i akuzuari i parë Cafer Morina themelon marrëdhënie pune edhe në shkollën fillore “Anadolu” me mësimdhënësen Hysnie Qabrati dhe në shkollën “Zybejde Hanem” me mësimdhënësin Shakir Mazrek, pa zhvilluar procedurë konkursi dhe në kundërshtim të plotë me Ligjin e Punës, konkretisht nenin 8./Indeksonline/


