Dënohen me nga 15 vjet burgim Ivica Rajkoviq e Dragan Deniq të akuzuar për krime lufte e dhunim seksual

Ivica Rajkoviq e Dragan Deniq të akuzuar për krime lufte, e dhunim seksual janë dënuar me nga 15 vjet burgim të hënën në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Gjykimi në këtë rast është zhvilluar në mungesë të të akuzuarve.
Përveç për dhunim seksual, në bazë të dëshmive të dëshmitarëve, ata kanë kryer edhe krime të tjera te luftës, si keqtrajtime, plaçkitje, tortura, por që nuk janë përfshirë në këtë aktakuzë.
Rasti i dhunimit seksual ka ndodhur në Kolovicë. E mbijetuara e këtij krimi u dhunua para syve të burrit të saj, i cili ka qenë dëshmitari kryesor i rastit, dhe dëshmia e tij ka qenë kryesore në gjykatë.
Po ashtu, viktimën e kanë dhunuar gjashtë persona, por vetëm këta dy janë identifikuar nga viktima. Ky është rasti i katërt që ka përfunduar gjykimi, i raportuar dhe përfaqësuar nga Qendra Kosovare e Rehabilitimin të të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).
Gjykimi është zhvilluar në mungesë, në pamundësi që të njëjtit të arrestohen.
Deri më tani janë shpallur tri aktgjykime për dhunim seksual. Zoran Vukotiq është dënuar me 13 vjet burgim, në rastin tjetër Vukotiq është liruar dhe rasti Zhivojin Nesiqit “Zhika” u dënua me 15 vjet.