Dënohet me 2 vjet burgim 34-vjeçari që shiste narkotikë për 5 euro në Gjakovë
Gjykata Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit S. K., shtetas i Republikës së Kosovës, i akuzuar për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Kryetari i trupit gjykues, Drilon Haraçia, pas pranimit të fajësisë nga ana e të pandehurit, e shpalli atë fajtor dhe e dënoi me 2 vjet burgim dhe 1000 euro gjobë.
Sipas aktakuzës, më 14 korrik 2025 në Gjakovë, i pandehuri është kapur në momentin kur i ka shitur një qese me substancë narkotike një blerësi për 5 euro. Gjatë kontrollit, tek i pandehuri janë gjetur edhe katër qese të tjera me narkotikë dhe kartëmonedha e përdorur në transaksion.
Më pas, gjatë bastisjes në banesën e tij, janë gjetur dhe sekuestruar 19 qese me marihuanë, 8 qese me kokainë dhe një fishek 9×19 mm. Analiza e Agjencisë së Kriminalistikës dhe Forenzikës ka konfirmuar se bëhet fjalë për 14.09 gramë marihuanë dhe 2.86 gramë kokainë.
Pala ka të drejtë ankese ndaj këtij aktgjykimi brenda 30 ditëve nga dita e pranimit të tij me shkrim./IndeksOnline/

