75 Mall Live Search
11:37 / E Enjte, 07 Mars 2024 / k.v

Dënohet me 2 vjet burgim dhe me 3 mijë euro gjobë i akuzuari për shtytje në terrorizëm

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar të akuzuarin Liridon Beqiri me 2 vite burgim për veprën penale “Shtytje në kryerjen e veprave terorriste” dhe me 3 mijë euro gjobë për armëmbajtje pa leje.

Beqiri në seancën e 4 marsit 2024 e kishte pranuar fajësinë lidhur me veprat penale që i viheshin në barrë, andaj ndaj tij është veçuar procedura, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Shpallja e aktgjykimit u bë të enjten nga gjykatësja e rastit, Valbona Musliu-Selimaj.

Gjykatësja Musliu-Selimaj gjatë shpalljes së aktgjykimit tha se me rastin e caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit, janë marrë parasysh rrethanat lehtësuese dhe rënduese.

Gjithashtu, gjykatësja njoftoi se të akuzuarit i ndërpritet masa e arrestit shtëpiak deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Më tej, gjykatësja Musliu-Selimaj tha se i akuzuari ka të drejtë që gjobën prej 3 mijë euro ta paguajë me këste ose ta zëvendësojë me burg, ku një ditë burg llogaritet për 20 euro.

Gjykatësja tha se në dënimin me burgim, të akuzuari Beqiri do t’i llogaritet edhe koha e kaluar nën masën e paraburgimit dhe atë të arrestit shtëpiak.

Po ashtu, u urdhërua të bëhet shkatërrimi i armëve dhe gjësendeve personale që kanë shërbyer për kryerjen e veprës penale.

Shpallja e aktgjykimit u bë në mungesë të të akuzuarit Beqiri.

Ndryshe, në këtë rast akuzohen edhe Besart Veselaj, Ernes Beqiri, Argiend Hoti dhe Altin Salihu, të cilët janë deklaruar të pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur më 4 mars 2024, andaj ndaj tyre do të vazhdojë gjykimi.

Sipas aktakuzës së ngritur më 24 janar 2024, thuhet se të akuzuarit Liridon Beqiri, Besart Veselaj, Ernes Beqiri, Argiend Hoti dhe Altin Salihu, nga periudha e panjohur kohore e në vazhdimësi në bashkëkryerje, kanë shpërndarë dhe mundësuar përcjelljen e mesazheve te personat tjerë në kryerjen e akteve terroriste.

Me këtë, të akuzuarit në bashkëkryerje akuzohen se kanë kryer veprën penale “Shtytje në kryerjen e veprave terroriste” nga neni 134 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Ndërsa, sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, të akuzuarit Liridon Beqiri dhe Besart Veselaj prej datës të pavërtetuar e në vazhdimësi, kanë mbajtur në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar armët në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm.

Me këtë, të akuzuarit secili veç e veç akuzohen se kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK-së.