11:37 / E Hënë, 05 Dhjetor 2022 / k.v

Dënohet me 6 muaj burgim efektiv i akuzuari për pengim të procedurës penale, në rastin e 400 kg kokainë të ardhur nga Brazili

Gjykata Themelore  në Prishtinë, e ka dënuar me 6 muaj burgim efektiv të akuzuarin Naim Morina për veprën penale “Pengim i të provuarit apo procedurës penale”, në rastin për rastin e 400 kg kokainë të vendosur në mish të ngrirë që kishte ardhur nga Brazili në Kosovë.

Shpallja e aktgjykimit u bë të hënën nga gjykatësi Musa Konxheli, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Gjykatësi Konxheli shtoi se pas aprovimit të pranimit të fajësisë, e arritur midis Prokurorisë Speciale dhe të pandehurit Naim Morina me mbrojtësin e tij Asdren Hoxha, i njëjti dënohet sipas dënimi rekomandues në marrëveshjen për pranim të fajësisë.

Të drejtë ankesë nuk ka sipas gjykatësit Konxheli, pasi që i njëjti është dënuar sipas rekomandimit për dënim të arritur në marrëveshje për pranim të fajësisë.

Në emër të paushallit gjyqësori, pandehuri Morina do të paguajë 50 euro dhe po ashtu 50 euro në fondin për kompensimin e viktimave.

Paraprakisht, në seancën e së hënës, ndaj të pandehurit Morina u veçua procedura penale me kërkesën e avokatit mbrojtës Hoxha, i cili njoftoi se kanë “arritur marrëveshje për pranim të fajësisë për veprën penale që i vihej në barrë të mbrojturit të tij.

Ndryshe, në seancën e së hënës mungoi i akuzuari Kadri Sheqiri me avokatin e tij, Xhafer Maliqi.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), për rastin e sekuestrimit të 400 kilogramëve kokainë, të akuzuar janë pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, dhe gjashtë të tjerë, Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Rrahimi, Fehmi Bytyqi, Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, “Betimi për Drejtësi”, ka raportuar ekskluzivisht për dosjen e Prokurorisë lidhur me këtë rast./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.