Departamenti i Shtetit: Administrata Trump revokon mbi 100 mijë viza
Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se ka revokuar më shumë se 100 mijë viza që nga rikthimi i presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë vitin e kaluar, duke shënuar një rekord të ri në kuadër të politikës së ashpër të emigracionit.
Masat përfshijnë rreth 8 mijë viza studentore dhe 2,500 viza të specializuara për persona që kanë pasur probleme me ligjin në SHBA.
Sipas zëvendëszëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott, shkaqet kryesore të revokimeve kanë qenë qëndrimi i paligjshëm, drejtimi i mjetit nën ndikimin e alkoolit, sulmi dhe vjedhja, ndërsa numri i revokimeve përfaqëson një rritje prej 150% krahasuar me vitin 2024.
Administrata ka forcuar gjithashtu procesin e dhënies së vizave, përfshirë kontroll më të rreptë të rrjeteve sociale dhe verifikime të zgjeruara të sigurisë.
Departamenti i Shtetit ka ngritur edhe një Qendër të Vetingut të Vazhdueshëm për të siguruar që shtetasit e huaj në SHBA të respektojnë ligjin, ndërsa vizat e atyre që konsiderohen rrezik për sigurinë të revokohen menjëherë.
Zyrtarët e administratës Trump kanë paralajmëruar se mbajtësit e vizave studentore dhe të kartave të gjelbra mund të përballen me dëbim nëse akuzohen për mbështetje ndaj palestinezëve apo kritika ndaj Izraelit, duke i cilësuar këto veprime si kërcënim për politikën e jashtme të SHBA-së.

