11:22 / E Mërkurë, 26 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Deportohen nga Spanja 26 shqiptarë, që kishin shkelur rregullat e qëndrimit në hapësirën Schengen

Policia kufitare e Rinasit, gjatë intervistimit të të deportuarve ka dyshuar për njërin prej tyre për gjeneralitete të rreme.

Pas një pune intensive intervistimi dhe verifikimi të detajuar, në bashkëpunim edhe me Interpol Tiranën, Policia kufitare e Rinasit vuri në pranga personin e dyshuar që i kishte dhënë policisë spanjolle gjeneralitete të rreme.

Vihet në pranga me qëllim ekstradimi drejt Italisë, 50-vjeçari nga Vlora.

Në Rinas, nëpërmjet një fluturimi me charter u deportuan dhe u riatdhesuan nga Spanja 26 shtetas shqiptarë, të cilët kishin shkelur rregullat e qëndrimit në hapësirën Schengen dhe disa prej tyre kishin kërkuar dhe azil.

Gjatë përpunimit dhe intervistimit të tyre rezultoi se një nga personat kishte dhënë identitet të rremë në shtetin spanjoll, me emrin V. B. Gjatë procesit të përpunimit të këtij shtetasi, verifikimit të detajuar dhe një pune intensive u bë e mundur që të zbulohej identiteti i vërtetë i tij, i cili nuk ishte shtetasi V. B., por ishte në të vërtetë ishte shtetasi K. J., 50 vjeç, lindur dhe banues në Mifol, Vlorë.

Ky shtetas i kishte dhënë policisë spanjolle gjeneralitete të rreme, për arsye se ishte person në kërkim ndërkombëtar, i shpallur nga Interpol Roma, i dyshuar për veprat penale “Trafikim i narkotikëve” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.

Në përfundim të procedurave të verifikimit, Policia kufitare e Rinasit, në bashkëpunim me Interpol Tiranën bëri arrestimin e 50-vjeçarit, me qëllim ekstradimi dhe Interpol Tirana vijon procedurat për ekstradimi e tij drejt Italisë.