75 Mall Live Search
19:17 / E Mërkurë, 22 Gusht 2018 / indeksADMonline

Deputetë, kryetarë e ish-kryetarë komunash pjesëmarrës në protestën për shkarkimin e Lumezit

Qytetarë të shumtë u bashkuan sot në protestën e organizuar nga Shoqëria Civile me kërkesën e shkarkimit të Kryeprokurorit të Kosovës, Aleksandër Lumezi si dhe fillimin e procesit të vetingut për gjyqësorin e vendit.

Kjo protestë nisi në ora 18:00 te Sheshi ‘Zahir Pajaziti’ duke vazhduar kështu tek Prokuroria dhe Zyra e Kryeministrit.

Por ndër të shumtët pjesëmarrës në këtë protestë ishin edhe deputetë, kryetarë e ish-kryetarë komunash, raporton Indeksonline.

Deputetja Mimoza Kusari Lila njëherësh ish kryetare e komunës së Gjakovës, deputeti Dardan Molliqaj si dhe Ilir Deda. Ish-kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa si dhe kryetari i tanishëm i Kamenicës, Qëndron Kastrati.

Të gjithë bashkë janë mbledhur për pakënaqësitë në sistemin e drejtësisë të cilat janë bërë më të zëshme përgjatë këtyre ditëve, pas dorëheqjes së Prokurorit Special të Kosovës, Elez Blakaj.

Blakaj pas dorëheqjes së tij heshti disa ditë përderisa më vonë tregoj qartë se ishte kërcënuar nga emra të shumtë në vend përderisa po hetonte listat e fryra të veteranëve të Kosovës.

Në protestë pati edhe pankarta të shumta në të cilat shkruhej: Lumez ec, Veting për gjyqësorin, jo presion për prokurorë, From hero to zero-Veteran Dealer, Të pabrekë ju gjeti dreka, milionerë ju zuri nata. /Indeksonline/