75 Mall Live Search
21:02 / E Enjte, 26 Shtator 2024 / L K

Deputetet e LDK-së: Të kthehet në pikën zero emërimi i anëtarëve për Trashëgimi Kulturore, janë militantë të VV-së

Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka kërkuar që të kthehet në pikën zero emërimi i anëtarëve për Trashëgimi Kulturore, kjo pasi që sipas tyre janë zgjedhur militantë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe njerëz që nuk janë profesionistë të fushës.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi në seancën e kuvendit këtë të enjte deklaroi se ky është vullnet politik i Vetëvendosjes.

“Fjalën e mora me përgëzu z.Gola për sinqeritetin që e kishte kështu dhe nëse mundem me ja përsëritë atë që tha. Ky tha është vullnet politik, pra vullnet politik i Vetëvendosjes. E dyta, ka pasë tha një metodologji efikase në vitin 2021 që e kemi eleminu, si Vetëvendosje, pra Vetëvendosje e ka eliminu një metodologji efikase për të cilën foli në detaje z.Gola. Ka pasë tha persona me përvojë akademike më të mirë, të cilët i kemi eliminu. Pra, i ka eliminu z.Gola me ekipën e tij të Vetëvendosjes në Komision”, tha Arben Gashi.

Deputetja e LDK-së Vlora Dumoshi emërimin e personave në këtë pozitë e quajti të mbushur me militantë të VV-së dhe njerëz që nuk i mbushin kriteret.

“Lidhur me anëtarët e Këshillit të Kosovës për Trashëgimin Kulturore ne si grup parlamentar kemi konstatuar që nuk ka gjithë përfshirje të fushave sipas kritereve të konkursit. Shumica e kandidatëve të përzgjedhur janë sociolog, etnolog por jo edhe historian, që ka qenë një ndër kriteret e konkursit. Po ashtu janë përzgjedhur militantët partiak siç është rasti i Fahri Zeqirit nga Qendra e Vetëvendosjes në Bardhosh. Ne mendojmë që procesi duhet të kthehet në pikën zero”, tha Vlora Dumoshi.

Reagim pati edhe nga deputeti tjetër i LDK-së, Armend Zemaj.

“Është e pafalshme që ky institucion i cili duhet të jetë i pavarur në fushën e trashëgimisë, jo vetëm që dëmtohet në aspektin profesional duke i larguar njerëzit e dëshmuar në fushën e trashëgimisë e tentohet të rahabilitohen militantët politik”, përfundoi Zemaj.

Ndryshe, Lidhja Demokratike e Kosovës ditë më parë ka deklaruar se Kurti ka premtuar se do të luftojë korrupsionin, por sipas tyre qeveria e tij sot është e korruptuar.