19:35 / E Diele, 02 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Deputetët e Listës Serbe ende në Kuvend: Do protestojmë deri në heqjen e taksës  

Deputetët e Listës Serbe janë duke vazhduar të qëndrojnë në zyrën e tyre në Kuvendin e Kosovës, si shenj proteste ndaj vendosjes së taksës 100 për qind për mallrat e Serbisë.

Në një konferencë të mbajtur për media ata kanë përsëritur se do vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllyr në hapësirat e zyrave të tyre, deri në takimin me komisionarin për zgjerim, Johannes Hahn, i cilin nesër do qëndrojë në Kosovë për një vizitë zyrtare.

Ata kanë paralajmëruar vazhdimin e kësaj proteste deri në tërheqjen e taksës 100 për qind.

Simiq ka konfirmuar se kanë pasur kontakte edhe me Zyrën e BE-së të Natalya Apostolovës, nga e cila kanë marrë porosi, por tha se serbët qëndrojnë pranë kërkesave të tyre për heqjen e taksës prej 100 për qind.

“Ne qëndrojmë fuqishëm në kërkesat tona që të takohemi me Hahn, pasi situata politike është e atillë që nesër mund të eskalojë  dhe ne duam që të gjithë në BE t’i njohim se edhe ata bartin përgjegjësinë për këtë që po ndodhë, pasi para 15-20 ditësh kanë mundur të reagojnë kur ishte ngritur taksa për herë të parë dhe pastaj reaguan kur është ngritur në 100 për qind”, tha Simiq.

Ai tha se pas vendosjes së taksës prej 100 për qind, serbët janë duke u ballafaquar me mungesë të ushqimit, barnave, por edhe të shtypit nga Serbia, ndërkohë që sipas tij sot nuk është lejuar të hyjë në Kosovë edhe ndihmat humanitare nga Serbia.

Për më tepër, Simiq ka bërë të ditur se Lista Serbe nuk do të kenë konferenca të ardhshme për sonte, por do të qëndrojnë në hapësirat e grupit të tyre parlamentar.

Ndryshe, deputetët e Listës Serbe nga ora 11.00 janë mbyllur në Kuvendin e Kosovës me kërkesë për takim  me komisionarin Johanes Hahn kur ai nesër të vijë për vizitë në Prishtinë, të cilit do t’i kërkojnë heqjen e taksës prej 100 për qind.