Deputetët e pakicave jo-serbe konfirmojnë votën për kryeparlamentarin dhe qeverinë
Sot pritet të mbahet seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe formimin e qeverisë “Kurti 3”, një hap ky i rëndësishëm në procesin politik pas zgjedhjeve të fundit.
Deputetët e komuniteteve jo-serbe kanë bërë të ditur që do të mbështesin kryeparlamentarin e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe se kanë votën për formimin e qeverisë.
Ata theksuan se qëndrimi i tyre është i qartë dhe i bazuar në respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, duke nënvizuar rëndësinë e funksionimit të rregullt të institucioneve parlamentare.
Përveç mbështetjes për kryeparlamentarin dhe qeverinë, deputetët e minoriteteve jo-serbe kanë theksuar se vendimet e tyre do të marrin parasysh konsultimet brenda grupeve parlamentare dhe do të sigurojnë stabilitetin institucional, duke shmangur çdo bllokadë politike gjatë konstituimit të kuvendit.
Kjo seancë konsiderohet vendimtare për nisjen e punës së institucioneve të reja dhe për të siguruar funksionimin normal të parlamentit dhe qeverisë së re.
Deputetja Emilja Rexhepi ka deklaruar se do të mbështesë formimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, duke përfshirë si parlamentin ashtu edhe qeverinë “Kurti 3”.
Ajo theksoi se është dakord me kandidatin për kryeparlamentar të propozuar nga LVV-ja dhe se vota e saj do të jetë në favor të këtij procesi.
“Po. Jemi dakord për formimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, si për parlamentin, ashtu edhe për qeverinë ‘Kurti’ 3”, ka thënë ajo.
Deputeti Artan Asallani e ka bërë të qartë qëndrimin e tij lidhur me votën për kryeparlamentarin e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Ai nënvizoi se do ta mbështesë plotësisht këtë proces në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
“Por qëndrimi ynë është i qartë: do ta votojmë kryeparlamentarin, ashtu si edhe të gjitha proceset e tjera të konstituimit të kuvendit, në përputhje me vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar Asllani.
Deputeti Erxhan Galushi ka deklaruar se është i përgatitur të mbështesë formimin e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe se vota e tij për këtë çështje do të jetë pro.
“Besojmë se do të formohet edhe kuvendi edhe qeveria. Unë si deputet e kam votën pro formimit të institucioneve. Sipas konsultimeve edhe brenda grupit dhe sipas deklaratës Konjufca, ne do e respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe nesër do të marrim vendim”, ka thënë ai./Front Online

