“Deputetët e VV qanin me lot kur iu bë padrejtësi mësuesve”, Jashari shpalos detaje nga takimi me Sveçlën

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari ka njoftuar se është takuar me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ai pohoi se kanë diskutuar për Ligjin e Pagave.
Jashari për Indeksonline u shpreh se Sveçla ia konfirmoi se janë duke punuar në këtë ligj. Po ashtu sipas Jasharit, Sveçla ka thënë se deri në fund të marsit do të ketë debat.
“Me Sveçlën biseduam për ligjin e pagave dhe ministri Sveçla deklaroi se ligji është duke u punuar por kushtetutesja e ka kthyer në pikën zero dhe i duhet edhe një afat që të mos bëhen gabime që kushtetutesja të mund ta kthejë dhe të kalojnë edhe vite të tjera kështu. Na tha se deri në fund të shkurtit është optimist që versioni i parë do të kryhet nga një grup punues i ekspertëve. Dhe pastaj na ka premtuar se në muajin mars do të ketë debat lidhur me versionin që ata punojnë me sindikatat. Po ashtu Sveçla na ka premtuar që versionin final nuk do ta dërgojë në Qeveri për votim pa konsultim, pa takime me sindikatat dhe kjo kërkesë e tij ka bërë që ne të heqim dorë për momentin nga veprimet sindikale. Në fund të marsit pastaj ne do të raportojmë për të gjitha angazhimet e pastaj Këshilli Drejtues vendos për tutje”, tha ai.
Nëse kjo gjë nuk ndodh, kreu i SBASHK-ut paralajmëron tensione në arsim dhe veprime sindikale.
Ai thotë se synojnë të barazojnë me paga mësuesit mbi pesë me ata që japin mësim lëndor e mos të përsëritet gabimi, pasi thotë se deputetët e VV-së qanin me lot kur u bë kjo padrejtësi.
“Nëse nuk bëhet asgjë deri atëherë kam frikë se në sistemin arsimor do të rikthehen tensionet dhe do të ketë veprime sindikale, që nënkupton greva në tërë sistemin arsimor. Qeveria deri në fund të marsit ka afat të punojë për ligjin, të ulet bashkë me sindikatat të dakordohet dhe ne kemi insistuar edhe në këtë takim, ngase ministria e dikurshme, ka bërë një hile, duke i ndarë në koeficient mësuesit mbi 5 me kolegët e tyre në nivelin që japin mësim lëndor. Dhe ne insistuam edhe me ministrin Sveçla që komisioni bashkë me ne, ta përmirësojmë këtë sepse edhe vetë deputetët e Vetëvendosjes bashkë me tjerët qanin me lot në atë kohë, pse iu është bërë mësuesve kjo e padrejtë dhe besojmë që ministri Sveçla do ta përmirësojë këtë gabim dhe ta kemi mësuesin mbi 5 të barabartë me koeficient me kolegun e tij që jep mësim lëndor në arsimin e mesëm të ulët. Takimi me Sveçlën ishte një moment kur ndezi shkëndijat e shpresës se më në fund po fillon dialogu e pastaj doli kryeministri me ato deklarata që nuk po ndalet dhe po krijon tensione”, u shpreh ai./Indeksonline/