09:58 / E Mërkurë, 27 Janar 2021 / A. S

Deputetët i dalin në klube nate, kërkon falje kryeministri i Japonisë

Kryeministri i Japonisë, Yoshihide Suga, kërkoi falje të mërkurën pasi deputetët e koalicionit qeveritar vizituan klube nate pavarësisht thirrjes së Qeverisë për t’i shmangur daljet e panevojshme në pandemi.

Ky lajm është një problem tjetër për Sugan, përkrahja për të cilin ka rënë me të madhe për shkak të pakënaqësisë rreth menaxhimit të pandemisë. Kritikët kanë thënë se masat e Qeverisë janë shumë të ngadalshme dhe jokonsistente.

“Më vjen tmerrësisht keq që kjo ndodhi kur ne po u kërkojmë njerëzve që të mos hanë jashtë pas orës 20 dhe që t’i shmangin daljet jourgjente dhe jothelbësore. Secili ligjvënës duhet të sillet si duhet për ta fituar mirëkuptimin e publikut”, tha Suga në Kuvend.

Shumë qytetarë japonezë u shprehën të zemëruar në rrjetet sociale me sjelljen e deputetëve. Një përdorues i këtyre rrjete shkroi: “Ata (deputetët) janë vërtet budallenj. A nuk mendojnë për atë që po bëjnë dhe si i sheh publiku? Nëse nuk mendojnë, ata janë të pakualifikuar që ta përfaqësojnë publikun”.

Ndryshe, Japonia këtë muaj e shpalli gjendjen emergjente në kryeqytetin Tokio dhe në zona të tjera për ta luftuar rritjen e konsiderueshme të numrit të rasteve me Covid-19.

Ndër masa është edhe kërkesa për mbyllje të restoranteve nga ora 8 e mbrëmjes, ndonëse nuk ka gjoba për ata që nuk e respektojnë këtë kërkesë të Qeverisë, shkruan Reutersi.