75 Mall Live Search
22:02 / E Hënë, 03 Janar 2022 / AR

Deputetët në Francë marrin kërcënime me vdekje për mbështetjen ndaj vaksinimit të detyruar

Disa deputetë të parlamentit francez kanë raportuar se kanë marrë kërcënime me vdekje teksa në vend debatohet ndalimi i të pavaksinuarve nga jeta publike e vendit.

Qeveria kërkon të kalojë ligjin që i kërkon njerëzve të tregojnë dokumentin e vaksinimit për të hyrë në transport dhe ambjente publike, por masa ka zemëruar kundërshtarët e vaksinave.

Prej muajsh Franca u kërkon njerëzve të tregojnë ose provën e vaksinimit ose testin negativ Covid për të hyrë në ambjentet publike.

Por qeveria ka vendosur papritur të heqë opsionin e testimit për sëmundjen, sipas saj prej shtimit të rasteve me variante të koronavirusit.

Qeveria franceze thotë se 91% përqind e popullatës në vend janë të vaksinuar.

Dje deputetja Agnès Firmin Le Bodo, e partisë së qendrës së djathtë ‘Agir’ publikoi një email që kishte marrë me grafika kërcënimesh me jetë, për mbështetjen e saj ndaj programit të vaksinimit.

“Demokracia jonë është në rrezik,” shkruante Firmin Le Bodo, e cila është gjithashtu farmaciste dhe ka vaksinuar njerëz kundër Covid.

Javën e kaluar ministri i brendshëm Gérald Darmanin tha se policia do të forconte mbrojtjen për zyrtarët e zgjedhur para votës për pasaportën e vaksinimit.

Barbara Bessot Ballot e koalicionit në pushtet ‘En Marche!’ tha se deputetët kishin marrë kërcënime me vdekje për arsye të “sulmit të tyre ndaj demokracisë”.

Gjatë pandemisë shumë kritikë kanë akuzuar qeverinë e presidentit francez Emmanuel Macron për shkelje të lirive të njeriut me rregullat e ashpra të pandemisë.

Protesta të shumta janë zhvilluar  në vend kundër kufizimeve dhe vaksinimit të detyruar.