Deputetët nga Shqipëria me sjellje të poshtra ndaj policëve, shikoni pamjet!
Daniel Drobaj, 18-vjeçari i arrestuar sot për plagosjen e efektives së “Shqiponjave” Ina Nuka, pasi në drejtim të saj hodhi një kapsollë, rezulton se është ndaluar dje pak çaste pas protestës së dhunshme.
Report Tv siguron videon e momentit të ndalimit të 18-vjeçarit pranë “Ushtarit të Panjohur” nga disa efektivë. Aty mbërrin edhe automjeti i një patrulle për ta shoqëruar të riun në komisariat.
Por në ndihmë të tij mbërrijnë të afërm, protestues dhe deputetë të LSI si Luan Rama, Endrit Braimllari dhe Floida Kërpaçi. Ata arrijnë t’ia heqin policisë nga duart Drobajn, ndërsa nuk mungojnë as aktet e dhunës në drejtim të efektivëve të policisë, të cilët goditen nga protestuesit e tjerë. Arratia e 18-vjeçarit zgjati 24 orë. Ai u prangos pasditen e sotme në rrugën “Babë Rexha”, pranë “Pallatit me Shigjeta” në kryeqytet.
Në ngarkim të 18-vjeçarit do të referohen materialet pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe në manifestime të paligjshme”, “Prishje e rendit dhe qetësisë publike” si dhe “Goditja për shkak të detyrës”.