Deputetët të sfiduar me tema të ndryshme, koalicioni qeveritar i varur nga partitë opozitare
Gjatë gjithë vitit që lamë pas deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë qenë të sfiduar me tema të ndryshme.
Jo rrallë herë kemi pas rastin të shohim përçarje e mosmarrëveshje të ndryshme, të cilat kanë quar deri në fyerje e sharje të ndryshme. Nga ana tjetër deputetëve opozitar dukshëm u ka munguar harmonizimi mes vete.

Isuf Zejna nga Instituti KDI thotë se opozita ka qenë më e zëshme se koalicioni qeverisës dhe është varur shumë nga përkrahja e partive opozitare.

“Në këtë legjislaturë, Kuvendi i Kosovës si kurrë më parë ka qenë i sfiduar me tema të cilat e kanë përçarë atë dhe e kanë vënë jashtë ndikimit që do të duhej ta kishte. Përkundër kësaj, numrat në Kuvend kanë ndikuar që opozita të jetë më e zëshme dhe koalicioni qeverisës është varur shumë nga përkrahja e partive opozitare për kalimin e ligjeve, marrëveshjeve dhe sidomos buxhetit për këtë vit”, ka thënë Zejna në një bisedë për Indeksonline.
Sipas tij, pavarësisht kësaj, opozita nuk ka arritur të harmonizohet në masën e duhur për të sfiduar qeverinë përmes një mocioni të mosbesimit. “Përkundrazi, dy grupet e mëdha parlamentare LDK dhe LVV, i kanë marr si të garantuar mbështetjen e subjekteve politike si PSD dhe Alternativa. Kjo më pas i ka kushtuar me një hakmarrje nga PSD e cila ka filluar që të mbajë një qëndrim më të relaksuar karshi Qeverisë dhe koalicionit qeverisës”, ka shtuar tutje ai.

Zejna ka folur edhe për qëndrimin e Listës Serbe, kjo marrë parasysh që është pjesë e koalicionit qeverisës.

“Lista serbe, e cila formalisht ishte pjesë e koalicionit qeverisës, nuk ka votuar dokumentet kryesore për të cilat ka pasur nevojë qeveria, duke përfshirë marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi dhe shumë projektligje, gjë që ka ndikuar që Qeveria të kërkojë partner alternativ siç ishte PSD”, theksoi ai.
Zejna kujton faktin se këtë vit ka pasur më shumë interpelanca, se sa në legjislaturat paraprake.

“Në përgjithësi ka pasur më shumë pyetje parlamentare dhe sidomos interpelanca sesa në legjislaturat paraprake, por që nuk kanë pasur ndonjë efekt të madh në kuptim të ndikimit të politik bërjes”, ka shtuar tutje ai.

Sipas tij, komisionet hetimore parlamentare në këtë legjislaturë janë riaktualizuar dhe janë shumë më aktive, por që prapë koalicioni qeveritar duket se i ka bllokuar ato. /Indeksonline/