75 Mall Live Search
21:33 / E Martë, 12 Prill 2022 / OSH

Deputeti Bajqinovci kërkon njohjen e Kosoves nga vendet anëtare të SEECP-së si dhe “bllokon” Serbinë në një iniciativë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, në cilësinë anëtarit të delegacionit të Përhershëm të Kuvendit i Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore ka marrë pjesë në takimin e radhës së Komisionit të Përgjithshëm për Drejtësi, Punë të Brendshme dhe Bashkëpunim në fushën e Sigurisë, mbajtur në Athinë.

Gjatë fjalimit të tij, Bajqinovci, ka kërkuar njohjen e Republikës së Kosovës nga vendet anëtare të SEECP-së, shkruan IndeksOnline.

Ai bëri të ditur se në këtë takim nuk u miratua raporti dhe draft rezoluta ““Mbrojtja e të drejtave të njeriut, veçanërisht të drejtave të grupeve të cënueshme”, pasi u kundërshtuan amendamentet me përmbajtje politike të propozuara nga Serbia.

Postimi:

Sot, në cilësinë anëtarit të delegacionit të Përhershëm të Kuvendit i Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore(AP e SEECP-së), mora pjesë në takimin e radhës së Komisionit të Përgjithshëm për Drejtësi, Punë të Brendshme dhe Bashkëpunim në fushën e Sigurisë, mbajtur në Athinë.

Në asamble (AP e SEECP-së) morrën pjesë përfaqësuesit nga Turqia, Greqia, Rumania, Moldavia, Maqedonia Veriore, Bullgaria dhe Kroacia.

Gjatë këtij takimi, përfitova nga rasti, gjithashtu të kërkoj nga vendet pjesëmarrëse, anëtare të SEECP-së të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, njohjen e Kosovës si shtet si dhe mbështetjen e vendeve anëtare për Kosovën në aspiratat e saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në NATO.

Gjatë raportimeve të deputeteve të SEECP-së, u diskutuan dokumentet e punës draft raporti dhe draft rezoluta,  me temë:  “Mbrojtja e të drejtave të njeriut, veçanërisht të drejtave të grupeve të cënueshme (vulnerabël)’” .

Me keqardhje, draft raporti dhe draft rezoluta nuk u arrit të miratohen, pasiqë ne i kundërshtuam amendamentet me përmbajtje politike të propozuara nga Serbia.

Dëshiroj të theksoj, se ne jemi për bashkëpunim rajonal në terma të barabartë dhe fqinjësi të mirë. Poashtu vendet e rajonit dhe vendet e BE-së duhet të mbështesin njëri tjetrin drejt integrimeve euro – atlantike.