75 Mall Live Search
09:55 / E Martë, 14 Prill 2020 / indeksADMonline

Deputeti Bajqinovci: Vendimi i Sveçlës, për lejen e deputetëve, pozitiv!

Deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Mefail Bajqinovci ka kritikuar liderin e LDK-së, Isa Mustafa, për qasjen e këtij të fundit në vendimin e qeverisë për orën policore.

Sipas tij, Ministria e Punëve të Brendshme me këtë akt, i ka kontribuar pozitivisht mbarëvajtjes e funksionimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, institucionit bartës të sovranitetit të vendit e qendrës kryesore të vendosjes politike në Republikë.

“Është për keqardhje në çfarë derexhe ke shkuar ti dhe me vete e ke marrë edhe partinë tënde. U ka shpërfytyruar Hashimi Isë. Ke humbur arsyen. Ka shenja që edhe je pishman që u nënvendose në vargun e partive të Hashimit por çfarë të bëjmë tani. Të gjithëve na vjen keq që “institucionalizmin”, “konstitucionalizmin”, “akademizmin”, e “intelektualizmin e LDK –së e ke hashimizuar e për këtë, një ditë do të flas vet anëtarësia e LDK –së, duke të të bërë ty përgjegjës”,  ka shkruar ai.

Postimi i plotë:

Isa Mustafa prapë paske shkretu,

Kishim menduar se e ke kaluar atë fazën kur krejt papritmas “të thehej” facebooku në gjysmë të natës, e shkruaje gjëra si mos më keq. Të dinim për njeri që sado mprapshti ke bërë, për dallim nga të tjerët, dokumentet i ke lexuar.

Isë, nëse dëshiron edhe prof, sepse nuk gënjejmë asgjë nëse e themi këtë – sikurse nuk gënjejmë edhe po të cilësonim në forma tjera sipas veprimtarive e veprimeve që ke bërë, Ministria e Punëve të Brendshme, nuk ka nxjerrë Vendim “për lejim të deputetëve a Kuvendit për të mbajtur mbledhje”, por ka nxjerrë një vendim që autorizon Policinë e Kosovës, që përkundër masave kufizuese të karantinës që janë fuqizuar në përputhje me Ligjin për Luftimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse, të mos ndalojë deputetët ditën e nesërme për shkak të mbajtjes së seancës.

Ministria e Punëve të Brendshme me këtë akt, i ka kontribuar pozitivisht mbarëvajtjes e funksionimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, institucionit bartës të sovranitetit të vendit e qendrës kryesore të vendosjes politike në Republikë.

Është dashur të nxirret Vendimi Isë, sepse besoj e di ti se policia është organ ekzekutiv që zbaton ligjet dhe vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe para ligjit të gjithë qytetarët janë të barabartë, Isë. Deputetët i nënshtrohen përgjegjësisë penale, kundërvajtëse, deliktore, civile e përgjegjësive të tjera juridike përveç imunitetit nga ndjekja penale dhe paditë civile që mund të lindin nga kryerja e funksionit. E Isë, duke qenë kështu, edhe deputetët janë përgjegjës për zbatimin e ligjit dhe masave të bazuara në ligj për aq kohë sa nuk përcaktohet ndryshe. A po e kupton tash se si e pse është nxjerrë ky Vendim? A po mbërrinë ta akceptosh se këtu bëhet fjalë për kryerje të detyrës me përgjegjësi dhe profesionalizëm për t’i kontribuar funksionimit të Kuvendit, e jo për diktaturë. Cfarë diktature Isë?

Isë,

Është për keqardhje në çfarë derexhe ke shkuar ti dhe me vete e ke marrë edhe partinë tënde. U ka shpërfytyruar Hashimi Isë. Ke humbur arsyen. Ka shenja që edhe je pishman që u nënvendose në vargun e partive të Hashimit por çfarë të bëjmë tani. Të gjithëve na vjen keq që “institucionalizmin”, “konstitucionalizmin”, “akademizmin”, e “intelektualizmin e LDK –së e ke hashimizuar e për këtë, një ditë do të flas vet anëtarësia e LDK –së, duke të të bërë ty përgjegjës.