21:03 / E Enjte, 30 Korrik 2020

Deputeti Batusha sqarohet: Pavarësisht numrit, gjendja është e rëndë

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha ka deklaruar se brenda dy orësh në Spitalin e Gjakovës janë shënuar pesë vdekje nga COVID-19, por Drejtori i Spitalit të Gjakovës, Afrim Dervishi e ka demantuar atë, duke thënë se kjo është dezinformatë.

Ndërsa tani ai është sqaruar përmes një shkrimi, ku thotë që qëllimi i statusit paraprak nuk është me bë panik e spektakël, por që të shtohet kujdesi, shkruan Indeksonline.

“Situata është shumë serioze dhe mjekët po kërkojnë kujdes sepse pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, kapacitetet spitalore nuk janë të mjaftueshme për përballimin me këtë situate”, u shpreh ai.

Shkrimi i plotë:

Qëllimi i statusit paraprak nuk është me bë panik e spektakël, por që të shtohet kujdesi. Unë edhe mund të gaboj, përkundër që ashtu jam njoftuar, por për 16 jetë të humbura në vendin tonë na njoftoi edhe vet IKSHP. Madje për mua s’ishte qëllim numri 5, edhe 1 po të ishte njëjtë do të reagoja. Jeta nuk është numër. Por, këtë do ta kuptojmë edhe me saktësi.

Situata është shumë serioze dhe mjekët po kërkojnë kujdes sepse pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, kapacitetet spitalore nuk janë të mjaftueshme për përballimin me këtë situatë.

Dua që asnjë të mos vdes! Numri pak ka rëndësi, e rëndësishme është jeta e secilit.

Kërkoj ndjesë për ata që janë shqetësuar, por situata është shqetësuese dhe duhet të marrin seriozisht.

Më lejoni të shprehë ngushëllimet më të sinqerta për humbjet e bashkëqytetarëve tanë.

Çdo humbje është e dhimbshme dhe e rëndë.