75 Mall Live Search
13:26 / E Hënë, 09 Qershor 2025 / Z S

Deputeti Behrami tha se Osmani ua vazhdoi mandatet EULEX-it e Gjykatës Speciale, reagojnë nga presidenca

Deputeti i PDK-së Artan Behrami përmes një postimi në Facebook u shpreh se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes shkëmbimit të letrave me BE-në ua ka vazhduar mandatin e EULEX-it, rrjedhimisht edhe të Gjykatës Speciale në Kosovë.

Lidhur me këtë ka ardhur edhe reagimi nga presidenca e Kosovës.

‘’Deputeti Artan Behrami është mirë të mos shpif. Presidentja as nuk cakton e as nuk vazhdon mandat të Gjykatës Speciale. Mandati i kësaj gjykate është përcaktuar me amandament kushtetues të votuar nga 2/3 e Kuvendit të Kosovës dhe ai nuk mundet as të ndryshohet e as të ndërpritet apo vazhdohet nga institucioni i presidencës’’, thuhet fillimsht në reagim nga Bekim Kupina – këshilltar për media nga zyra e presidentes.

Më tutje Kupina është shprehur se presidentja ende nuk ka nënshkruar asgjë sa i perket mandatit të EULEX-it, edhe pse është plotësisht në mandatin e saj ta bëjë një gjë të tillë, siç ka qenë njësoj në mandatin e presidentit Thaçi, kur ai ia vazhdonte mandatin teknik të EULEX-it, për mentorim, monitorim dhe këshillim.

Vazhdimi i mandatit të EULEX-it, është përcaktuar në vendimin e Këshillit të BE-së të 5 qershorit 2025, vendim që është publik, thuhet në reagim./Indeksonline/