Deputeti britanik: Mirë që Thaçi ndërroi mendje për ndryshim të kufijve, ndonëse shpenzoi shumë për atë ide
Në një debat mbi Kosovën, sot në Parlamentin britanik ka folur edhe Ministri Britanik për Evropë, Alan Duncan, si dhe deputeti laburist John Grogan.
Duncan foli për sfidat dhe përparësitë nëpër të cilat Kosova ka kaluar në këto 11 vjet, që kur u shpall shtet.
Ministri britanik ka thënë se “Arritja e marrëveshjes e bazuar në ndryshimin e kufijve, rrezikon stabilitetin në Kosovë-Serbi dhe rrezikon të vendos një precedent që mund të shfrytëzohet nga palët e treta në rajon dhe më tej.
Në anën tjetër ai e mirëpriti delegacionin shtetëror të Kosovës dhe theksoi se progresi në negociatat kërkon që të gjitha palët të “respektojnë të drejtën demokratike të Kosovës për të përcaktuar se si dhe nga kush, vendi është i përfaqësuar.”
Duke njohur mosmarrëveshjet aktuale ndërmjet qeverive të Kosovës dhe Serbisë, Alan u bëri thirrje të dy palëve që të ulin tensionet dhe të kthehen në negociata. Ndërsa në lidhje me tarifën e vendosur nga Kosova ai theksoi se “me partnerët tanë ndërkombëtarë i kemi kërkuar qeverisë së Kosovës për të përcaktuar hapat që synon të marrë për pezullimin e tarifave dhe për të mundësuar një kthim në dialog.”
Përpos Duncan, në këtë debat është përfshirë edhe deputeti laburist, John Grogan, i cili edhe e drejtoi atë.
Grogan ka thënë se për çështjen e ndryshimit apo korrigjimit të kufijve janë shpenzuar shumë para në Londër dhe kryeqendra tjera.
“Jam i kënaqur që javën e kaluar Presidenti i Kosovës tha se këmbimi i territoreve nuk do të ndodhë kurrë. Para një viti ai fliste për korrigjim kufijsh me Serbinë, por kjo ishte qasje e gabuar. Janë shpenzuar para bukur të mëdha për lobim në Londër dhe gjetiu për këtë çështje, por jam i kënaqur që Presidenti e ka ndërruar qasjen. Kryeministri dhe Parlamenti (i Kosovës) me të drejtë kundërshtonin këmbimet territoriale, korrigjimet e kufijve apo çfarëdo të quhen ato. Këto mund të jenë shumë destabilizuese në Ballkan”, ka deklaruar ai.