Deputeti gjerman e vlerëson lart popullin e Kosovës: Të gatshëm për çdo gjë, për të mirën e shtetit

Politikani i njohur gjerman, Peter Beyer, ka qenë viteve të fundit mjaft i lidhur me situatën politike në Kosovë. Deputeti i CDU-së në Gjermani njihet ndër vite edhe si përkrahës i madh i shtetit të Kosovës.
Në një intervistë për Indeksonlinen, Beyer ka treguar se pse është e domosdoshme prania e KFOR-it në Kosovë, sa ka ndryshuar rrjedhat në Ballkanin Përëndimor lufta në Ukrainë dhe ka analizuar edhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Keni qenë dhe jeni përkrahës i misionit të KFOR-it në Kosovë Pse është ende e rëndësishme kjo sipas jush?
Ushtarët, të cilët vijnë nga shumë vende të ndryshme, japin një kontribut të rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës, në rajonin kufitar me Serbinë dhe rrjedhimisht në mbarë Ballkanin Perëndimor. Ngjarjet e majit dhe shtatorit të vitit të kaluar dhe tensionet me shtetin fqinj verior mbartin gjithmonë rrezikun e përshkallëzimit. Prania e forcave të KFOR-it është garanci për sigurinë e popullatës.
Si ka ndryshuar rëndësia e Ballkanit Perëndimor dhe Kosovës në veçanti, për Gjermaninë dhe partnerët e saj perëndimorë, që nga lufta në Ukrainë?
Jam i vetëdijshëm se shpesh përceptohet se agresioni i Rusisë kundër Ukrainës, që shkel ligjin ndërkombëtar, po lë në hije shqetësimet e vendeve më të vogla në Ballkanin Perëndimor. Kjo ndoshta është pjesërisht e vërtetë. Por mund t’ju siguroj se në Gjermani po fokusohemi në rëndësinë gjeostrategjike të Kosovës, në veçanti për të ardhmen paqësore dhe prosperuese të Evropës. Personalisht, është gjithashtu e rëndësishme që të mbaj në minimum ndikimin e akterëve të jashtëm nga Rusia, Kina dhe shtetet arabe, sepse këta shpesh ndjekin vetëm interesat e tyre, përfaqësojnë vlera të tjera dhe në veçanti nuk e kanë parasysh mirëqenien e kosovarëve.
Procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka ngecur. Ku i shihni mundësitë për përparim?
E vërteta është se të dy vendet mund të kishin shkuar më tej shumë kohë më parë. Por, duhet pranuar se është bërë progres. Theksoj se nga normalizimi i marrëdhënieve mes dy shteteve do të përfitonin të gjithë, me efekte që shtrihen përtej të dy vendeve.
Jam i bindur për motivimin e lartë të popullit kosovar për të mbrojtur vendin me shumë urtësi, largpamësi dhe vullnet të fortë për të mos humbur në imtësitë e së kaluarës dhe armiqësitë personale. Por, jo vetëm të përpiqet për prosperitet për të ardhmen e vendit të tyre, por edhe ta zbatojnë atë. Ne mbetemi të gatshëm ta mbështesim këtë.
Cila është rëndësia e Kosovës për rajonin dhe Evropën?
Mund të them shumë për këtë dhe t’u referohem pjesërisht përgjigjeve të mia për pyetjet e mëparshme. Dëshiroj të theksoj në veçanti dy gjëra. Me moshën mesatare më të re nga të gjitha shtetet në Evropë, Kosova ka potencial të madh. Diaspora e madhe në Evropë është një hallkë e rëndësishme për atdheun, një urëndërtuese që është me rëndësi vendimtare për të ardhmen e Kosovës/Indeksonline/