Deputeti i AAK-së ia mbyll derën Kurtit: Me asnjë çmim nuk përfshihemi në një qeveri me të

Deputeti i AAK-së, Lahi Brahimaj, ka refuzuar kategorikisht të përfshihet në qeverinë Kurti 3 edhe nëse Albin Kurti i dërgon ftesë për një gjë të tillë. Sipas tij, nëse Kurti nuk arrin që t’i sigurojë votat e nevojshme, zgjidhja më e mirë do t’ishin zgjedhjet e jashtëzkonshme.
“AAK-ja e ka thënë dhe prapë qëndron në atë se në asnjë rrethanë dhe për asnjë çmim nuk përfshihemi në qeverinë Kurti 3. Nëse ata nuk arrijnë që t’i sigurojnë numrat, zgjidhja më e mirë do t’ishin zgjedhjet”, ka thënë Brahimaj për rtv21
Deputeti Brahimaj ka deklaruar se Kurti qëllimisht nuk ka filluar bisedimet me partitë politike për formimin e qeverisë sepse, siç thotë, nuk ka interesim për një gjë të tillë.
‘’Që nga dita e parë kur e ka nominuar zëdhënësen e Dimal Bashës Albulena Haxhiun për kryeparlamentare e deri sot Albin Kurti në asnjë moment nuk ka shfaqur vullnetin për formimin e institucioneve. Ai nuk ka lobuar për një votë për Albulena Haxhiun e as për Donika Gërvallën, por për asnjë nga kandidatët që i kishte për kryeparlamentar, ndërsa për Nenad Rashiqin ka lobuar te të gjitha partitë për të siguruar votat. Njësoj po e bën edhe për qeverinë, nuk i ka numrat dhe nuk është i interesuar ta formojë qeverinë”, ka thënë ai.
Deputeti i AAK-së edhe një herë ka bërë të ditur se AAK-ja preferon një qeveri të ish-opozitës.
‘’Siç duket edhe në këtë pjesë nuk ka vullnet të mjaftueshëm prej të gjitha subjekteve. AAK-ja siç e dini e ka ofru votën për një qeveri të opozitës pa asnjë lloj kushti apo kërkese me qenë pjesë e qeverisë, vetëm të bëhet një qeveri e opozitës”, është shprehur Brahimaj.