75 Mall Live Search
20:34 / E Mërkurë, 29 Prill 2020 / indeksADMonline

Deputeti i Kosovës e humb mandatin pasi u dënua me burg, ligji i Kosovës nuk vlen edhe për Agim Ademin

Këshilltari i kryeministrit në detyrë Albin Kurtit, Erzen Vraniqi, ka deklaruar sot se deputeti Etem Arifi nga Partia e Ashkalinjve për Integrim, ka humbur mandatin pasi është i dënuar me një vit burgim për veprën penale mashtrim me subvencione.

Edhe pse është zgjedhur me votat e qytetarëve, Arifi ka humbur mandatin e tij si deputetë dhe duhet të zëvendësohet nga një tjetër që është pas tij në listë, shkruan Indeksonline.

Por ligjet e Republikës së Kosovës nuk po vlejnë edhe për kreun e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.

Ai muaj më parë u dënua me nëntë muaj efektiv pasi iu vërtetua akuza se kishte bashkëpunuar në mashtrimin e një qytetari, ku dëmi kap vlerën e 30.000 eurove.

Edhe pse me 3 dhjetor 2019, Gjykata e Apelit e vërtetoi dënimin e Agim Ademit, ai ende nuk ka dhënë dorëheqje nga posti i Kryetarit të FFK-së dhe nuk është paraqitur për ta vuajtur dënimin.

Veprimi i tij gjithashtu është në kundërshtim me statutin e FFK-së që nuk e lejon asnjë të dënuar të mbaj pozita në Federatë.

Edhe mandati katër vjeçar i Agim Ademit është i dyshimtë, pasi sipas disa delegatëve ai vetëm e ka vazhduar mandatin e lënë në gjysmë nga Fadil Vokrri. /IndeksOnline/