Deputeti i Kuvendit të Kosovës u del në mbrojtje besimtarëve që u falen në shesh

Deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Mergim Lushtaku ka dalë në mbrojtje të besimtarëve që falen namazin në sheshin “Skënderbeu” gjatë ditës së sotme.
Lushtaku gjithashtu e ka quajtur diskriminues dhe të padrejtë deklaratën e UD të Ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla.
Ky është postimi i Mergim Lushtakut:
Vendimin për mbylljen e Xhamive, shtëpive të Zotit, edhe pse fillimisht besimtarët muslimanë e përjetuan shumë rëndë, ata u pajtuan për një qëllim të lartë dhe fisnik, atë të ruajtjes së shëndetit dhe jetës së njerëzve. Edhe më e vështirë për ta ishte kur filloi muaji i bekuar i Ramazanit dhe nga pamundësia për të lartësuar emrin e Zotit në vendin e Tij më të dashur Xhaminë, ata u kujdesen që shtëpinë e tyre ta zëvendësojnë me të. Besimtarët muslimanë në përpikmëri e zbatuan këtë vendim, duke luajtur rol kyç në luftën ndaj Covid 19.
Pas sjelljes shembullore të qytetarëve dhe përmirësimit të situatës epidemiologjike, filluan fazat e lehtësimit të lëvizjes dhe punës së veprimtarive të ndryshme ekonomike, ndër to edhe muzetë e galeritë e ndryshme. Me të drejtë nga kjo fazë e lehtësimit të masave, nga besimtarët muslimanë, përfshirë edhe mua, u prit që edhe vendimi për mbylljen e Xhamive të rishikohet dhe të hapen ato, ashtu siç kanë bërë vendet e rajonit, gjithnjë duke i respektuar masat (si dorëzat, maskat) dhe distancën e paraparë, mirëpo një gjë e tillë për çudi nuk ndodhi.
Në shenjë pakënaqësie, një grup i besimtarëve duke respektuar masat dhe distancën e paraparë sot organizuan faljen e namazit, për t’ju dërguar një mesazh organeve kompetente që një gjë e tillë është e mundur.
Reagimi i zv. Ministrit në detyrë, përveç që ishte diskriminues, i pa drejtë, ai madje u mundua edhe të bëj konspiracione të ndryshme se kush qëndron prapa organizimit, duke aluduar në një Profesor të çmuar universitar si Milazim Krasniqi. Ai u dekonspirua keq nga organizatorët të cilët nuk lejuan politizim të kësaj çështje.
Edhe pse unë nuk i njoh se kush janë organizatorët e këtij veprimi simbolik të sotëm, unë si besimtarë krenarë musliman, i përgëzoj për vetëdijen e lartë qytetare të treguar për realizimin e kërkesave të tyre.