Deputeti i LDK-së sulmon SBASHK-un për shtyerjen e mësimit: Na bëtë horë, po ju vjen lezet me pushu

Vjosa Osmani dhe Haxhi Avdyli janë dy prej anëtarëve të LDK-së të cilët kanë shprehur hapur mospajtimet e tyre me udhëheqësinë aktuale të partisë. Të dytë madje s’janë duke u pajtuar as me mënyrën se si Avdullah Hoti po e qeveris vendin.
Sot, të dytë e kanë kritikuar Qeverinë dhe institucionet arsimore për vonesat në hapjen e shkollave. Osmani ka publikuar një video të vajzave të saj, të cilat dëgjohen teksa i thonë shkronjat e alfabetit shqip në shtëpinë e tyre, derisa Avdyli ka thënë se shtyrja e mësimit është një vendim absurd dhe ka kritikuar SBASHK-un.

Ai ka thënë se më shumë se 6 muaj kohë kanë pasur në dispozicion për t’u përgatitur.
“Shtyrja e mësimit për dy javë, dhe kërcënimi për shtyrje tjera e bërë nga Sindikata… me arsyen se arsimtarët po rrezikohen sa është absurde , sa anakronike. Fatmirësisht sindikatat e tjera sjanë si Rrahmani se atëherë spitalet duhej mbyllur se po rrezikohen punetorët shëndetësorë, policia duhej të demobilizohej se po rrezikohen nga infektimi, e administrata me u mbyll e tëra . Edhe pse fëmijët janë grupmosha më së paku që preken nga virusi, prapë Sindikata po kërkon shtyrje, sepse si duket ua kanë marrë lezetin pushimit e me ia nis punës pas një pushimi 6- mujor gogja vështirë po iu vie. Sa kërkoni shtyrje ,përgatituni se 6 muaj e 2 javë janë tē mjaftueshme, se horë na bëtë”, ka shkruar Avdyli.