75 Mall Live Search
12:00 / E Mërkurë, 25 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Deputeti i LDK-së, thirrje Isës e Albinit: Mendoni si qytetarë, nënshkruajeni sot marrëveshjen!

Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli u ka bërë thirrje Isa Mustafës dhe Albin Kurtit që të nënshkruajnë sot marrëveshjen e koalicionit.

Sipas Avdylit, zhgënjimi qytetar mund t’ju hakmerret të dyja palëve.

“Në momentin kur jemi 24 orë para konstituimit të Kuvendit, është momenti që kryetari i LDK-së e i VV-së më shumë të mendojnë si qytetarë të Kosovës me shumë halle e kërkesa e më pak si kryetarë partish.

Më shumë të takohen me punëtorë të sektorit privat, me arsimtarë e studentë, me mjekë e pacientë , me bujq e biznesmenë e më pak të dëgjojnë jurishnikët partiakë, militantë, servilë e karrieristë, që më shumë kanë hallin e vetes e klanit se sa hallin e shtetit.

Guri në rrugën e koalicionit mund të hiqet nëse behemi bashkë për ta larguar e nga ai gur të ndërtojmë ura mirëbesesimi e bashkëpunimi afatgjatë. Sepse ai guri (posti i presidentit) mbetet vetëm një mjet për të larguar malin e gurëve e shkëmbinjve të keqqeverisjes së kaluar e fushave të minuara nga ata.

Koha është sot që Isa Mustafa ,Vjosa Osmani e Albin Kurti të nënshkruajnë marrëveshjen e shumëpritur nga qytetarët, sepse zhgënjimi qytetar i nesërm mund t’u hakmerret të dyja palëve, por edhe vendin e vendos në rrugë pa krye. Nesër mund të kemi koalicion me fitues të besimit qytetar ose fërkim duarsh të humbësve të zgjedhjeve të 6 tetorit që veç në ujëra të turbullta mbijetojnë politikisht”, shkruan Avdyli në Facebook./Indeksonline/