12:19 / E Premte, 06 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Deputeti i vetëm në Parlament, që kishte kërkuar hetim për bankat dhe kreditë, në Kosovë

Gani Dreshaj është deputeti i vetëm që kishte kërkuar hetim për bankat dhe dhënien e kredive nga institucionet mikrofinanciare, në Kosovë.

Në mandatin e kaluar si deputet, Dreshaj kishte thënë se bankat dhe disa instuticione mikrofinanciare në Kosovë janë fajdexhi të legalizuar.

Deputeti i AAK-së në atë kohë kishte kërkuar ngritje të hetimeve dhe ndëshkim për kompanitë që po i luajnë me normat e interesit.

Pas vendimit që BQK-ja të mbyllë dy institucionet mikrofinanciare, Monego e Iute Credit, Dreshaj ka reaguar, duke e quajtur këtë vendim si lajm të mirë.

“Lajm i mirë mbyllja e dy institucioneve mikrofinanciare, Monego e Iute Credit. Këto dy kompani ishin thjesht fajde e legalizuar në Kosovë.

E them me bindje se kam qenë deputeti i vetëm që edhe në Parlament pata ngritur këtë shqetësim, por që kaloi në heshtje dhe pa përkrahjen e të tjerëve.

Por, BQK-ja duhet të merret edhe me “elefantët” e jo vetëm me “lepujt”.

Duhet urgjentisht një hetim për bankat e mëdha në Kosovë, të cilat kanë oferta po ashtu në formë fajdesh dhe mashtrojnë me normat e interesit” shkruan Dreshaj në Facebook./Indeksonline/