Deputeti i VV-së fajëson organizatën e veteranëve për gjendjen e krijuar

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gani Krasniqi ka thënë se udhëheqja e OVL-UÇK-së ka pranuar që të politizohet ndër vite dhe ajo është përgjegjëse për gjendjen e krijuar.
Ai ka thënë se nëse kjo organizatë nuk do të ishte politizuar, atëherë kjo organizatë do të kishte qenë opozita kryesore e Kuvendit dhe Qeverisë, sepse, kështu, sipas tij, i ka hije organizatave që përfaqësojnë këto kategori.
“Është e vërtete se luftëtarët janë të ngritur në protestë, nuk kam për qëllim të përcaktohem nëse kanë apo jo të drejtë, por është udhëheqja e OVL-UÇK ajo që ka pranuar që kjo organizatë të politizohet. Jo nuk është përgjegjësi e të gjithë veteranëve. Të veteranëve të vërtete. Nëse kjo organizatë nuk do të ishte politizuar nga ato parti që u thirrshin si parti të luftës në themelimin e tyre kjo organizatë do të kishte qenë opozita kryesore e Kuvendit dhe Qeverisë dhe kështu i ka hije organizatave që përfaqësojnë këto kategori”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka propozuar që të bisedohet me veteranët, por edhe të pastrohen listat, si dhe mos t’u merret e drejta për të punuar veteranëve.