12:34 / E Enjte, 12 Mars 2020 / indeksADMonline

Deputeti i VV-së i kërkon sindikatës së ujësjellësit“Prishtina”: Publikojini emrat e të punësuarve politikisht

Mefail Bajçinovci, deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ka reaguar pas protestës paqësore të sindikatës së ujësjellësit rajonal “Prishtina” për shkak të shkeljeve dhe parregullësive në këtë kompani.

Bajçinovci në një postim i ka kërkuar Sindikatës që t’i publikojë emrat e krejt familjarëve të menaxhmentit dhe të politikanëve që janë punësuar në ujësjellësin rajonal “Prishtina”.

Deputeti nga radhët e Vetëvendosjes ka mbështetur reagimin sindikal, duke thënë se ministria përgjegjëse duhet të marrë masa ndaj bordit të kompanisë.

“Reagim ndaj ngjarjeve të fundit në KRU “Prishtina”

Raporti i auditimit për KRU, “Prishtina, ka nxjerrë shumë shkelje e parregullësi në këtë kompani publike. Si rezultat, janë konstatuar humbje dhe keqmenaxhim.

Sindikata duhet t’i publikojë emrat e krejt familjarëve të menaxhmentit dhe të politikanëve, që janë punësuar në ujësjellësin rajonal “Prishtina”

Mbështes reagimin sindikal të punëtorëve KUR “Prishtina” ndaj kësaj situate, e cila ndikon që të ngriten probleme për zgjidhje në këtë kompani tepër të rëndësishme për shërbimet publike bazike për qytetarët.

Sindikata e ujësjellësit “Prishtina” është e pakënaqur me vendimet bordit duke filluar nga shkarkimi i drejtorit, sepse është bordi ai që i ngarkon dhe i shkarkon, por gjithnjë edhe më herët janë shkarkuar dy drejtorë edhe sot kompania e ujësjellsit “Prishtina” duhet t’i paguajë 200 mijë euro ata.

I njëjti bord është përgjegjës edhe për raportin e auditorit e jo vetëm drejtori i shkarkuar.

Ministria përgjegjëse duhet të marrë masa edhe pse ky bord ka përgjegjësi në raport me kërkesat e punëtorëve dhe të zgjidhin problemet që janë akumuluar në kompani.

Si deputet, do t’i përcjell nga afër të gjitha zhvillimet në të ardhmen dhe do të mbeshtes në të gjitha format që më mundëson mandati i deputetit për t’u dhënë zgjidhje këtyre problemeve në këtë kompani”, ka thënë ai.

IndeksOnline para pak çastesh ka publikuar reagimin e kryetarit të sindikatës së kompanisë së ujësjellësit rajonal “Prishtina”, Rashit Mehmetaj./IndeksOnline/