Deputeti i VV-së: Qeveria Hoti s’po e ka idenë se çfarë po bën me pandeminë

Fitim Uka, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit Anëtar i Komisionit për Shëndetësi, përmes një postimi të bërë në llogarinë Facebook, ka thënë se qeveria e re në krye me Hotin, nuk e ka idenë se çfarë po bën me pandeminë, e që sipas tij këtë e tregon edhe numri i fundit i rasteve me COVID-19.
Ky është postimi i tij:
Pandemia nuk ndalet me doracak. Aq më tepër, jo me doracak të kopjuar e të papërshtatur për realitetin tonë.
Pse kjo qeveri ilegale nuk e ka idenë se çfarë po bën me pandeminë tregojnë numrat.
Me 15 prill i kishim 342 raste aktive. Ishin masat e Qeverisë Kurti që e ulën numrin në 199 deri me 30 maj. Rastet aktive janë dyfishuar në 5 ditë e fundit. Sot, kemi 755 raste aktive me COVID-19.
Por, numri në rritje nuk po i bën përshtypje qeverisë ilegale dhe në vend të veprimit ka zgjedhur gjumin e thellë. Kjo apati do të na kushtoj edhe në ditët në vazhdim.
Ministri ilegal i shëndetësisë, në dy javët e para në detyrë, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim konkret përveç publikimit të një manuali edhe ndonjë fotografie, herë me maskë e herë pa maskë!
Prandaj, të dashur, keni kujdes të shtuar, sepse vetëm kujdesi ynë mund të na shpëtoj.
