17:23 / E Martë, 15 Shtator 2020 / indeksADMonline

Deputeti i VV-së: Qeveritarët për vete marrin edhe mëditje për shëtitje, kurse mjekët nuk i shpërblejnë

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani, sot ka kritikuar qeverinë Hoti për vonesat e pagesave nga 300 euro për personelin shëndetësor që u angazhua në kohë pandemie.

Ramadani ka thënë se qeveritarët marrin edhe mëditje për shëtitje, kurse mantelbardhët nuk i shpërblejnë për angazhimin e madh të tyre, shkruan IndeksOnline.

Ai tha se Qeveria Hoti është duke dhënë vetëm premtime.

“Me qeverinë Kurti, mjekët merrnin 300€ shtesë përtej pagës. Sot, “qeveria” Hoti jep vetëm premtime koti.

Për fatin tonë të mirë, kur ka filluar pandemia në vendin tonë, e kemi pasur qeverinë Kurti që e ka mirëmenaxhuar situatën. Masat kanë qenë meritore karshi situatës dhe mundësive.

Dhe ata që ishin në krye të luftës me pandeminë, punëtorët shëndetësorë (pa dallim) janë paguar shtesë me 300€ përveç pagës bazë, për punën e palodhshme të cilën e kanë bërë.

Sot situata është tërësisht ndryshe. Qeveria ilegjitime dhe antiligjore nuk i ka paguar shtesat për mjekët në muajt qershor, korrik e as gusht. Virusi i rrezikshëm po vret njerëz më shumë se në fillim, por “qeveritarët” për vete marrin edhe mëditje për shëtitje, kurse mantelbardhët nuk i shpërblejnë për këtë angazhim më të madh se asnjëherë më parë”, ka shkruar ai./IndeksOnline/