10:22 / E Enjte, 06 Tetor 2022 / LB

Deputeti i VV-së tregon kushtin që duhet të përmbush SBAShK-u për t’i ekzekutuar pagat e muajit shtator

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka thënë se Qeveria e Kosovës ka dy kërkesa ndaj Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, dhe ajo më e rëndësishmja ndërlidhet me zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës një mujore.

Rexhaj ka thënë se zëvendësimi i orëve duhet të ndodhë patjetër, pasi fëmijët kanë humbur shumë.

“Ne kemi vetëm dy kërkesa ndaj SBASHK-ut, dhe ajo më e rëndësishmja është zëvendësimi i orëve sepse fëmijët kanë humbur shumë. Nëse zotohen se orët zëvendësohen, automatikisht pagat avans do të jepen”, është shprehur ai në Kanal 10.

Edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka thënë të mërkurën se ka dërguar propozim në Ministrinë e Financave që të bëhet pagesa në avans për orët e humbura.

Nagavci tha se kjo pagesë do të bëhet vetëm nëse marrin garanci që secila ditë e planifikuar me kalendarin e ri mësimor për orët e humbura do të respektohet.

“Ne kemi dërguar propozimin në MF që të bëhet pagesa në avans me pritjen dhe garancinë që secila ditë e planifikuar me kalendarin e ri do të respektohet”, tha ajo.

Ndërkaq, SBASHK-u ka refuzuar propozimin për zëvendësimin e orëve të humbura. Kësisoj, pagat e muajit shtator për mësimdhënësit nuk janë ekzekutuar ende.