Deputeti ukrainas: Rusia dëshiron përmes Serbisë të ndezë zjarrin edhe në Ballkan

Me intensifikimin e provokimeve të Rusisë në hapësirën ajrore të NATO-s, frika për shpërthimin e një Lufte të Tretë Botërore është rritur ndjeshëm në Europë, sidomos në vendet e Baltikut dhe lindjen e aleancës, të cilat që nga shkurti i vitit 2022 ndihen të ekspozuara ndaj kërcënimeve të Moskës.
Ukraina shihet si çelësi i sigurisë për të gjithë kontinentin, megjithatë rezistenca e saj ka nisur të zbehet, pasi ndihma ushtarake dhe financiare nga Shtetet e Bashkuara është reduktuar.
Deputeti ukrainas Oleksiy Goncharenko, i ftuar në emisionin Rretheqark, deklaroi se Rusia po provokon vazhdimisht BE-në, SHBA-në dhe NATO-n, duke theksuar se Kremlini synon të përhapë konfliktin edhe në Ballkan përmes Serbisë.
“Disa mendojnë se tashmë jemi në Luftën e Tretë dhe unë jam një prej tyre. Rusia po provokon NATO-n, BE-në dhe SHBA-në. Kundërpërgjigja është e vakët, dhe kjo nuk vlen vetëm për vendet baltike. Rusia dëshiron të ndezë zjarrin edhe në Ballkan, përmes ndikimit që ka te Serbia, dhe do të ishte e lumtur nëse edhe Ballkani përfshihet në flakë. Jam i bindur se roli i saj ka qenë i madh edhe në fillimin e luftës në Lindjen e Mesme”, tha Goncharenko.