10:28 / E Premte, 22 Janar 2021 / OSH

Deputetit i mbyllin mikrofonin, kërcasin grushtet në parlamentin e Çekisë

Një sherr ka ndodhur në Parlamentin e Çekisë për shkak të zgjatjes së gjendjes së emergjencës për koronavirusin.

Incidenti filloi kur Tomas Hanzeli, nënkryetar i Dhomës së Parlamentit i mbylli mikrofonin Lubomir Volny, një deputet nga listat e pavarura, për shkak të kritikave rreth kësaj çështjeje.

Por Volny nuk u dorëzua. Ai shkoi në tavolinën e nënkryetarit për të folur me mikrofonin e tij dhe tha: “Si përfaqësues i zgjedhur i popullit, kam të drejtë të flas”.

Hanzeli nuk donte ta lejonte dhe në ndihmë i erdhën kolegët, por Lubomir Volny i shtynte të gjithë, Pas konfliktit fizik me disa prej tyre, Volny u largua dhe seanca plenare u pezullua për 15 minuta.

Deputetët çekë diskutuan kërkesën e Qeverisë për të zgjatur urgjencën kombëtare të koronavirusit edhe një muaj. Volny konsiderohet një kritik i mprehtë i kufizimeve të koronavirusit dhe ai refuzon të mbajë një maskë në Parlament, megjithëse është me detyrim.