Deputetja Balaj-Halimaj: Gratë si Vasfija – shembulli i forcës e i vullnetit për liri e jetë

Deputetja e Nismës Socialdemokrate, Albulena Balaj-Halimaj, ka thënë se Vasfije Krasniqi duhet të vijë në Kuvend pa iu dridhur zëri sa herë që ndjen nevojën t’u drejtohet deputetëve.
Ajo ka falënderuar Vasfijen që ka ndarë përjetimin e saj me të gjithë. Ajo ka thënë se ajo është arsyeja e jetës së shumë grave të tjera.
Deputetja e Nismës ka thënë se sot janë mbledhur në Kuvend për të folur për një temë, e cila është shumë e dhimbshme.
“Vasfija dhe mijëra vajza dhe gra të tjera u ballafaquan me mizorinë e dhunimit nga forcat kriminale të shtetit të Serbisë gjatë luftës të viteve 1998-1999! Në moshën e saj kemi menduar se cilat nga atletet janë në trende për t’i blerë, ndërsa Vasfija dhe vajzat e asaj kohe kanë kryer shkollim me një palë këpucë nga ato të zezat që nuk i donte askush, por që ishin të detyruara t’i mbathnin”, ka thënë ajo në seancën e sotme të veçantë.