20:57 / E Martë, 22 Shtator 2020 / indeksADMonline

Deputetja e PDK-së Ganimete Musliu: Marrëveshja e Washingtonit mund të hap tema të rrezikshme

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, në emisionin “Debat” të RTK-së, ka thënë se ajo që është arritur në Uashington më 4 shtator nuk është marrëveshje. Sipas saj, ato janë zotime që janë marrë nga të dy palët.

“Nuk është marrëveshje, edhe pse qeveria po e quan të tillë. Por kjo më së paku është marrëveshje ekonomike, është më shumë politike. Disa nga pikat aty mund të hapin tema të rëndësishme dhe  të rrezikshme për shtetin e Kosovës dhe po të ishte marrëveshje ndërkombëtare do të duhej të ratifikohej në Kuvend”, ka thënë Musliu.

Musliu ka thënë se ajo që është nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë është dokument, ku Kosova dhe Serbia janë zotuar para presidentit Trump që do t’iu përmbahen atyre zotimeve.

“Nëse është marrëveshje, atëherë çfarë do të duhej aty që të ishte feja, Ujmani, Hezbollahu, moratoriumi, etj. Kosova ka bërë lëshime të mëdha në atë takim, duke e lëshuar njohjen reciproke. Me vetë faktin që është hequr njohja nga aty, është lëshim i madh”, ka theksuar tutje ajo.

Duke folur për njohjen dhe se a është pritur kjo që të ndodh më 4 shtator, Musliu ka thënë ata kanë pritur njohje pasi që këtë e ka thënë kryeministri Hoti. Ndërkaq, angazhimin e SHBA-ve e ka vlerësuar si pozitive.