Deputetja e VV-së i bën thirrje LDK-së: Reflektoni, ka kohë ende sot për marrëveshje!
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka reaguar pas mbledhjes së kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës pak orë para fillimit të seancës konstituive, shkruan IndeksOnline.
Ajo ka thënë se zërat, të cilët duan ndryshimin e menjëhershëm duhet t’i dëgjojnë sot.
Ajo u ka bërë thirrje anëtarëve të LDK-së që të reflektojnë pasi që ende ka kohë për te fillimi i seancës.
Nagavci shtoi se nuk duhet të dekurajojnë rininë e as nuk ka nevojë të mobilizohen për zgjedhje të reja.
Postimi i plotë:
Dua të besoj se në LDK ka të tillë që e duan ndryshimin e menjëhershëm që i nevojitet vendit.
Dua të besoj se deklarimet elektorale s’kanë qenë farsë e fjalë koti.
Dua të besoj se ka zëra e mendje racionale që marrin vendime në të mirë të vendit.
Këta zëra duhet t’i dëgjojmë sot, tani.
Pres që diskutimet të jenë të bazuara në interesin e vendit.
E interesi i vendit është krijimi i menjëhershëm i institucioneve, hapja rrugë profesionistëve e vendosja e standardeve të reja në qeverisje, në udhëheqje, në drejtësi, gjithandej në shoqëri.
Nuk kemi kohë për të humbur, nuk kemi luksin të dekurajojmë rininë e as nevojë të mobilizohemi dhe një herë për zgjedhje.
Energjia që do të shpenzohej për të na sjellur në të njejtën situatë, ku LV! del sërisht e para, ( edhe pse me siguri me numër më të madh të deputetëve) do duhej orjentuar në mirqeverisje që tani. Kemi shumë punë përpara.
Ka kohë akoma deri te fillimi i seancës. Pas kësaj vazhdohet me tjera afate. Ne jemi për të gjetur zgjidhje, por jo përtej çdo racionaliteti.