17:26 / E Hënë, 27 Gusht 2018 / indeksADMonline

Deputetja kërkon llogari për humbjen e 239 mijë euro nga MASHT

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku- Rexhepi, ka reaguar ndaj humbjes së kontestit gjyqësor të Minsitrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë me Kolegjin AAB, dokumentet e të cilit u publikuan në KALLXO.com

Bunjaku-Rexhepi që është anëtare e Komisionit Parlamentar për Arsim tha se është e papranueshme që të mos ipet llogari për humbjen e këtij konteksti.

“Këto ditë u bë me dije opinioni publik se, MASHT ka humbur 239 mijë euro nga padia e kolegjit AAB, për shkak të një Udhëzimi Administrativ që kërkonte pagesa prej 5 eurosh për çdo student në procesin e akreditimit të kolegjeve private – sikur shkruajnë edhe mediet kosovare. Ajo që më shqetëson si deputete, është shuma e humbur nga MASHT, mungesa e tyre në seanca gjyqësore dhe si palë e dëmtuar dhe humbëse, nuk është ankuar në Shkallën e Dytë”, shkroi ajo.

Ajo bëri të ditur se këtë çështje do ta ngris  në mbledhjet e ardhshme të komisionit.

“Pavarësisht se shumica e deputetëve janë në pushim, sikurse edhe unë, nuk mund të rri e qetë me këso lajmesh të dëmtimit të buxhetit kosovar, dhe askush nga MASHT të mos jep llogari për humbjen e aq shumë parave të shtetit! Së shpejti Kuvendi i rikthehet punës dhe mbledhjet e Komisionit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, por unë si deputete kurrë nuk do të rri e heshtur e pa kërkuar llogari për humbjen e 239 mijë eurove për padi”, bëri të ditur deputetja.

KALLXO.com ka raportuar ekskluzivisht lidhur me këtë kontest.