Deputetja Musliu- Shoshi: 11 shtatori s’do të harrohet asnjëherë

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi ka kujtuar sulmet terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001 në New York.
“Sulmet terroriste ndaj Qendrës Botërore të Tregtisë në New York dhe ndaj Pentagonit ishin të pashembullta në historinë e njerëzimit. Ky sulm ndaj vlerave të lirisë, është një plagë ende e hapur për SHBA-në, por edhe për botën në përgjithësi. Ne u bëmë dëshmitarë se si mijëra civilë të pafajshëm, në mesin e tyre edhe shqiptarë u vranë në mënyrën më mizore”, ka thënë Musliu- Shoshi.
Për popullin e Kosovës, sipas deputetes, 11 shtatori nuk do të harrohet asnjëherë.
“Ne do ta kujtojmë çdo qytetar amerikan të vrarë e çdo shpëtimtar që vdiq për të shpëtuar jetën e njerëzve. Familjet e tyre janë edhe familjet e tona. Jo shumë larg nga ky sulm, populli amerikan qëndroi bashkë me ne, kur u vranë dhe u masakruan shqiptarë të pafajshëm. Ne do të jemi falënderues të përjetshëm ndaj SHBA-së për lirinë dhe pavarësinë që e gëzojmë sot”, ka thënë ajo.
Në këtë përvjetor, Musliu- Shoshi ka thënë se ne qëndrojmë pranë popullit amerikan dhe të vendosur në aleancë të bashkuar me administratën amerikane kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, që po vazhdon t’i cenojë vlerat universale./IndeksOnline/