Deputetja ukrainase: Situata në Mariupol është shumë e tensionuar

Mariupoli është një nga qytetet ukrainase më të goditura që nga fillimi i invazionit rus.
Sipas deputetes Halyna Yanchenko, rreth 80 për qind e ndërtesave në qytet janë të bombarduara nga rusët.
Ajo për BBC ka përshkruar situatën atje, duke thënë se është shumë e tensionuar, sidomos pasi qyteti u rrethua plotësisht nga forcat ruse.
Yanchenko thotë se rreth gjysmë milioni njerëz jetonin në Mariupol përpara se të fillonte lufta, teksa tani kanë mbetur shumë pak sosh, transmeton Indeksonline.
Banorët e këtij qyteti po mundohen të strehohen nëpër spitale, shkolla, kisha e teatro, por që edhe këto ndërtesa po sulmohen vazhdimisht.
Yanchenko shtoi gjithashtu se afro 130 njerëz janë shpëtuar nga sulmi që u bë në teatër ditën e mërkurë, aty ku po strehoheshin qindra banorë.
Autoritetet ukrainase janë duke tentuar të negociojnë një korridor humanitar që lejon banorët të largohen nga qyteti, pa u sulmuar.
Megjithatë, një gjë e tillë duket vështirë e realizueshme, pasi që korridoret që u dakorduan në dialogjet e para, disa herë kanë dështuar, me ushtarët rusë që sulmonin civilët që po evakuoheshin.