75 Mall Live Search
19:26 / E Hënë, 26 Korrik 2021 / AR

Deputetja Vrenezi e shtrirë në QKUK, shtyhet gjykimi ku ajo dhe pesë të tjerë po akuzohen për korrupsion

Për shkak të problemeve shëndetësore të deputetes së LVV-së, Jetmirë Vrenezi, ka dështuar të hënën të mbahet seanca gjyqësore në rastin ku ajo dhe pesë të tjerë po akuzohen për vepra penale të korrupsionit.

Avokatja Flaka Gutaj e ka njoftuar gjykatën se mbrojtura e saj, Jetmirë Vreneze, ka probleme shëndetësore dhe është e shtrirë në Qendrën Klinikë Universitare të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në mungesë të të akuzuares Vrenezi, kryetarja e trupit gjykues Kymete Kicaj e ka shtyrë gjykimin dhe ka caktuar datat e reja për seancat e radhës më 16 shtator 2021 dhe 04 dhe 14 tetor 2021.

Islam Thaqi, Jetmire Vrenezi, Egzonë Morina-Thaqi, Arian Taraku, Isë Bislimaj dhe Shqipëron Krasniqi, akuzohen për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, pasi sipas prokurorisë, ata kishin tejkaluar kompetencat e tyre në rastin e rrënimit të aneksit të “Abi Çarshia” në Prizren.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 20 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Islam Thaqi, Jetmire Venezi, Egzonë Morina-Thaqi, Arian Taraku dhe Isë Bislimaj, të cilët po i ngarkon me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në aktakuzë thuhet se me 19 dhe 21 korrik 2019 në Prizren, në objektin “Abi Çarshia”, të akuzuarit Islam Thaqi, në cilësinë e drejtorit të Inspektoratit, Jetmire Verezi dhe Egzona Morina Thaqi, inspektore të ndërtimit, Arianit Taraku dhe Isë Bislimaj, zyrtarë në Drejtorinë e Inspektoratit, Shqipëron Krasniqi, përfaqësues ligjor në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim të shkaktimit të dëmit “Abi” SHPK në Prizren.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit realizojnë rrënimin e aneks-objektit të “Abi Çarshia”, duke e ditur se i dëmtuari ka dorëzuar aplikacionin për legalizim.

Prokuroria pretendon se të njëjtit kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje, me Udhëzimin Administrativ nr.06/19, me Ligjin mbi procedurën e përgjithshme administrative, si dhe vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nr. A-213/18 dhe A-179/19, me të cilat ishin anuluar aktvendimet e Drejtorisë së Inspektoratit Komunal të Ndërtimtarisë në Prizren.

Sipas Prokurorisë, këto vendime obligojnë organet komunale në Prizren të veprojnë konform Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, si dhe udhëzimeve administrative në fuqi, andaj sipas aktakuzës, të akuzuarit duke mos i përfillur këto vendime, veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Dëmi që pretendohet se i është shkaktuar “Abi Çarshia”, me rrënimin e ankesit në fjalë, është në vlerë prej 69 mijë e 729 euro.

Me këto veprime, të gjithë të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 paragraf 2-1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.