75 Mall Live Search
18:39 / E Martë, 23 Qershor 2020 / indeksADMonline

Deputetja Zejnullahu kërkon ta dijë se kur do të hapen kufijtë ajror

Sot në seancën e rregullt plenare të Kuvendit të Kosovës, deputetja e PDK-së, Floretë Zejnullahu kishte planifikuar të flas për shqetësimin e bashkëatdhetarëve tanë, por pasi që ishte koha e limituar për deklarime jashtë rendit të ditës ajo është shprehur në rrejtët sociale.

Sipas saj, vetëm vitin e kaluar nga diaspora janë dërguar mbi 800 milion euro në Kosovë, mbi 6 miliardë euro janë dërguar 11 vitet e fundit nga shqiptarët që e bëjnë punën me nder dhe krenari.

“Janë dhjetëra-qindra kompani kosovare që merren me aranzhimin e udhëtimit të mërgimtarëve tanë të cilat realizojnë të ardhura e punësojnë djem e vajza të cilët momentalisht nuk paraqiten në vendin e punës”, ka thënë deputetja.

Qeveria Hoti, sipas deputetes, që nga votimi i saj në kuvend, nuk e ka marrë mundin ta shqyrtojë mundësinë e hapjes së kufijve ajror. E as nuk është munduar të paktën t’i takojë kompanitë e avio-biletave dhe të diskutojë me ta lidhur me dëmet financiare që kanë pësuar si pasojë e pandemisë.

“Si është e mundur të lejohet transporti rrugor e ai ajror të jetë i ndaluar? Më shumë njerëz të grumbulluar gjen në qendrat tregtare e në mbrëmje nëpër kafiteritë e Kosovës se sa gjatë udhëtimeve me aeroplan”, ka deklaruar ajo.

Për këtë arsye, ajo kërkon nga Kryeministri, Ministri i Shëndetësisë dhe i Infrastrukturës të na tregojnë se kur do të hapen kufijtë ajror dhe a e dinë në cilën gjendje janë kompanitë që merren me aranzhimin e udhëtimeve?

Për arsye të anulimeve të vazhdueshme të avio-biletave, është shkaktuar kosto e madhe financiare për mërgatën tonë. Mërgimtarë tanë nuk duhet të bartin pasojat e menaxhimit të keq të pandemisë nga institucionet e vendit./IndeksOnline/