75 Mall Live Search
20:03 / E Mërkurë, 03 Nëntor 2021 / C E

Derbi i Milanos është “zjarr” në tribuna, mësohet sa tifozë do të jenë ditën e diel

Milan-Inter në “San Siro” do të ndiqet nga më shumë se 55 mijë tifozë në shkallët e tempullit të futbollit Italian.

Vendimi i qeverisë për të lejuar vetëm 75 % të kapaciteteve në stadiume, e kushtëzon disi supersfidën e fundjavës që gjithsesi do të ushtojë nga koret e milanistëve në shumicë si pritës por edhe e interistëve që do të vendosen kryesisht në pjesën veriore të stadiumit Lombard.

Gjatë dekadës së fundit, rrallëherë dy skuadrat kanë qenë kaq konkurruese pasi aktualisht Milani mban vendin e parë bashkë me Napolin, ndërsa kushërinjtë dhe kampionët e Interit renditen menjëherë pas tyre, çka e bën edhe më të fortë dhe të shumëpritur duelin e Milanos.

Kjo ndeshje derbi do të jetë e para me tifozë pas mbylljes së stadiumeve për shkak të pandemisë dhe rikthimi i tifozëve në shkallë pas më shumë se një viti e gjysmë, e bën këtë sfidë edhe më spektakolare e të veçantë për milanezët, Italinë dhe futbollin europian.