75 Mall Live Search
21:09 / E Shtunë, 23 Dhjetor 2023 / MSH

Dërgimi i Fondit Sovran në Kushtetuese, Statovci e quan hipokrizi

Deputetja Jeta Statovci ka reaguar ndaj vendimit të LDK-së për të dërguar në Kushtetuese Fondin Sovran.

Sipas saj, ky fond po dërgohet në Kushtetuese nga partia që vet e ka votuar si pjesë të programit qeverisës në vitin 2020 raporton Indeksonline.

Një gjë të tillë, Statovci e quan “hipokrizi”.

“Ne vitin 2011, kishte 51.5 milionë fitim, kurse në vitin 2016 shënoi humbje 51.1 milionë euro. Për vetëm 5 vite, diferencë për 102.6 milionë euro, ky është talent i vecantë shkatërrues. Kurse tani, Telekomi raporton fitim neto 5.9 milionë euro (janar-nentor 2023)” ka thënë mes të tjerash Statovci, duke marrë shembullin e Telekomit.

Ky është reagimi i plotë i saj:

Kur hipokrizia përjetohet si politikë!

LDK dërgoi Fondin Sovran në Kushtetuese, kurse në 2020, e votoi vet si pjesë të programit qeverisës.

Në bazë të Global SWF, janë 175 Fonde Sovrane në mbarë botën, përfshirë këtu vende sikurse Slovenia, Greqia, Irlanda, Norvegjia etj. Por, ky fakt, s’po e ndalon dot LDK-në që dorë për dore me PDK-në, të marrë udhë tek Gjykata Kushtetuese, të cilën, po e konsiderojnë si zyrë ankesash për defetizmin e shterpësinë e ideve që i ka kapluar.

Fondi Sovran e ruan pronësinë e aseteve strategjike të vendit per t’i kthyer në një të mirë publike, duke përmiresuar gjendjen e operimit te brendshem dhe duke u hapur ndaj kapitalit të ri. Ka shumë raste të vendeve të zhvilluara që kanë përdorur pikërisht fonde të ngjashme.

Si u keqmenaxhuan asetet publike, psh TELEKOMI?

Ne vitin 2011, kishte 51.5 milion fitim, kurse në vitin 2016 shënoi humbje 51.1 milion euro. PËR VETEM 5 VITE, DIFERENCË PER 102.6 MILION EURO, ky është talent i vecantë shkatërrues. Kurse tani, Telekomi raporton fitim neto 5.9 milion euro (janar-nentor 2023).

Këto plaçka historike financiare, në vend se të çohen në Prokurori, po çohen reformat zhvillimore në Kushtetuese.

Për më tepër, Fondi Sovran ndërlidhet me sektorin privat përmes dy shtigjeve të rëndësishme: (1) hap rrugë që kapitali privat të futet në ndërmarrjet e Fondit dhe (2) u jep mundësi kompanive private të përfitojnë nga kapitali i Fondit.

E gjitha kjo, i bie që bën keqpërdorimi, hipokrizia, pengimi i zhvillimit të vendit kur kjo lidhet me luftë politike etj. Ka humbur Kosova me këtë mendësi.