16:26 / E Mërkurë, 20 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Deri në 1 milion euro, sa kushton eleminimi i një koke në Shqipëri e Ballkan

Nuk ka ditë të mbyllet pa viktima. Raste të shumta janë ato kur viktimat janë pikërisht si pasojë e atentateve mafioze apo vrasjeve të qëëlimshme.

Të “heqësh qafe një kokë” sot mund të bëhet falë shumave të mëdha që u jepen njerëzve të zakonshëm, por me cilësi psiko-motorre shumë më ndryshe nga të zakonshmit. Janë ata, që shqetësojnë gjumin e policisë shqiptare. Janë ata që ndryshe njihen me profesionin “killer”.

Vetëm se perfeksionimi i killer-ave ia ka shtuar peshën e vështirësisë policisë. Eshtë shumë e vështirë që të kuptosh se nga dhe si është bërë krimi. Njerëz me konflikte të hershme dhe pjesë të hakmarrjeve janë gjetur të vrarë. Dosjet kanë mbetur pa autorë, por me regjistrimin perfekt të vrasjeve të kujdesshme nga duar profesionistësh.

Rastet janë shumë. Psh, ende nuk dihet sesi është vrarë një nga krerët e Komunitetit mysliman, Salih Tivari. Kaq i kopsitur ka qenë realizimi i vrasjes, saqë edhe sot e kësaj dite, kanë mbetur pas vetëm hamendësime për vrasësit.

I ndjeri Florian Vila u ekzekutua po kaq mjeshtërisht, në derën e shtëpisë së tij. Më 29 mars vrasja e Fatmir Ramës, ose Mirit të Xhikes, ishte po kaq perfekt te Kartodromi.

Pak vite më parë, ngjarjet e Tropojës konverguan me një sërë ekzekutimesh po kaq mjeshtërore, të bëra me një infrastrukturë moderne. Të gjitha ishin vrasje profesionistësh dhe si vrasje me pagesë. Këto janë vetëm pak raste, ndër të parat në Shqipëri të cilësuara vrasje me pagesë. Shumë të tjerë janë regjistruar nga viti 2005 e deri më tani.

Por, tashmë gjasat për t’u zbuluar janë shtuar. Sepse në shumë ambiente është vendosur elementi i kamerave të sigurisë, çka i bën vrasësit me pagesë të mendohen dy herë. Por ekspertët thonë se edhe në të tilla raste, ata studiojnë të gjitha detajet, ndikojnë në fikjen e kamerave dhe plot veprime të tjera, me qëllimin e vetëm për ta çuar deri në fund misionin.

Në fakt, shqiptarët ka kohë që përfliten për këtë fenomen. Kohë më parë, Prokuroria e Antimafies Italiane në momentin që kanë folur dhe me zyrtarë të Prokurorisë së Përgjithshme dhe të Krimeve të Rënda kanë referuar se shqiptarë në Itali janë pjesë e bandave famëkeqe dhe të rekrutuar si vrasës me pagesë.

Por sa janë sot çmimet për një vrasje? Pra, sa paguhet një vrasës për të plotësuar kërkesën e klientit të tij? Nga 50 mijë deri më 1 milionë euro variojnë çmimet e vrasjeve në Ballkan. Specialistët e kriminalistikës në rajon, në bazë të studimeve kanë pohuar se vrasjet me pagesë me pritë shkojnë me 50 mijë euro.

Kosto rritet për ato me eksploziv, atentate me snajper dhe deri te ato të politikanëve. Kostoja për të tilla raste shkon deri në 1 milion euro. Burime nga policia e shtetit thonë se vitet e fundit vrasjet me pagesë janë të shpeshta, raporton gazeta shqip.

Skema mbetet e thjeshtë dhe nuk ndryshon shumë në vendet e ndryshme të Ballkanit. Ajo ka të bëjë kryesisht me vrasje biznesmenësh, hakmarrje, konflikte etj. Në këto raste zgjidhet njeriu me pagesë, që zakonisht gjendet nga grupet e vogla kriminale.

Në takimin e fshehtë, që rregullohet nga porositësi, ndërmjetësit dhe Killer-i vendosin për modalitetet. Vrasja paguhet duke iu referuar pastaj vështirësisë, mënyrës sesi do të realizohet dhe nga statusi i viktimës së radhës.

Ndodh si në kanun. Gjërat janë gati të precizuara. Plagosja në formë kërcënimi shkon 25.000 euro, ndërsa vrasja 150.000 euro. Ka vrasje që shkojnë 30 deri në 50.000 euro – thonë ekspertë të Policisë, teksa shtojnë se është përforcuar edhe teknika e zbulimit të këtyre krimeve, me hyrjen në fuqi të ligjit për dëshmitarët e mbrojtur, ose ndryshe autorët e penduar të krimeve.