Dëshira e Katalonisë për pavarësi bën jehonë në Ballkan
Synimi i rajonit spanjoll për t’u pavarësuar ka shkaktuar jehonë në Ballkan, i cili ka një histori separatizmi dhe ku disa rajone ruajnë ambicie të ngjashme pavarësie.
I përndjekur nga konflikti etnik i kohëve të fundit dhe ende në telashe prej nxitjeve separatiste, Ballkani i ka mbajtur sytë mbyllur në eventet e fundit të Katalonisë, si dhe ndaj përgjigjes së Spanjës, Europës dhe botës.
Ngjarjet në ditët e ardhshme, ku zyrtarët katalanas kanë vendosur të deklarojnë pavarësinë, dhe reagimi i Spanjës për këtë, mund të ndikojnë në të ardhmen e entitetit boshnjak të dominuar nga serbët, Republika Srpska, si dhe në provincën serbe të Vojvodinës.
Kosova, po ashtu si vende dhe grupe të tjera etnike në rajon, pritet të ndikohen.
Megjithatë, Florian Bieber, një ekspert i Ballkanit, thotë se krahasimet mes rajonalistëve dhe Ballkanit dhe Katalonisë nuk duhen hequr aq thjeshtë.
“Spanja nuk është (ish-) Jugosllavia, as Katalonia si Sllovenia apo Kroacia. Po ashtu, Istria, Vojvodina apo Republika Srpska nuk janë (njëlloj) si Katalonia”, tha Bieber për Europën e Lirë më 3 tetor, duke listuar disa vende që u shkëputën nga Jugosllavia, si dhe ato rajone që po peshojnë pavarësinë sot.
Pavarësisht dallimeve të qarta me situatën në Spanjë, Ballkani ka pasur pjesën e vet të lëvizjeve të pavarësisë në të shkuarën.
Që nga vitet 1990, ish-Jugosllavia, e formuar pas Luftës së Parë Botërore, është zhbërë në jo më pak se shtatë entitete të pavarura.
Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Maqedonia u ndanë në fillim të viteve 1990, pasuar nga Mali i Zi në 2006.
Së fundi, Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008.
Është e paqartë nëse procesi i ndarjes ka mbaruar. Nëntë vjet pas 2008-ës, disa njerëz në krahinën serbe të Vojvodinës dhe shumë të tjerë në Republikën Srpska kanë të njëjtën ëndërr.
Kosova refuzon krahasimet me të tjerët
Dikur Kosova ishte një provincë e Serbisë por sot liderët e saj po diskutojnë mbi fatin e rajonit të Katalonisë.
Një ditë pas referendumit në Kataloni të dielën e kaluar, një zyrtar i Qeverisë i tha BIRN se Kosova nuk do të komentonte mbi zhvillimet atje pasi qeveria “nuk komenton mbi zhvillimet e brendshme të një vendi tjetër”.
Që kur Kosova shpalli pavarësinë në 2008, Spanja ka qenë një nga pesë shtetet e BE-së që nuk kanë pranuar ta njohin atë, kryesisht për shkak se i trembeshin një “efekti domino” në rajonet e tyre.
Megjithatë, analistët në Kosovë nuk po i mbështesin shumë krahasimet mes dy vendeve.
Lulzim Peci, drejtor i Institutit KIPRED, në Prishtinë këmbënguli se Kosova dhe Katalonia kanë pak të përbashkëta.
“Nëse Kosova ka diçka të përbashkët me pavarësinë e ndonjë vendi tjetër, do të ishte vetëm me Malin e Zi dhe entitetet e tjera ish-jugosllave, sepse konteksti është i ngjashëm,” tha Peci për BIRN.
Sipas tij, referendumi i së dielës në Kataloni dhe çdo vendim i mëvonshëm i bazuar në të, nuk do të kishte ndikim në Kosovë.
“Kjo çështje (Katalonia) është ende punë e brendshme e Spanjës dhe nuk është ndërkombëtarizuar ende, ndaj nuk mund të ketë ndikim në Kosovë,” tha ai.
“Rastet e Katalonisë dhe Kosovës janë krejt të ndryshme. Rasti i Kosovës nuk është shkaktuar nga Katalonia, dhe rasti i Katalonisë nuk është shkaktuar nga Kosova. Nuk kanë lidhje,” shtoi Peci.
Megjithatë, Kosova nuk mund të rrijë jashtë këtij diskutimi, pavarësisht dëshirës.
Gazeta Zëri citoi të enjten Josep Maria Terricabras, europarlamentarin spanjoll katalanas, të thoshte se priste që Kosova të jetë ndër vendet e para që do ta njohë Kataloninë, pasi të shpallë pavarësinë.
“Do t’i pranojmë njohjet, pavarësisht nga vijnë. Spanja nuk e ka njohur Kosovën, gjë që është e turpshme,” tha ai.
“Ndërkohë, Katalonia do ta njohë Kosovën. Unë nuk jam deputet në parlamentin e Katalonisë, ndaj nuk mund të bëj premtime të tilla, por si deputet europian, besoj se kjo do të ndodhë”, shtoi Terricabras.
Peci megjithatë vë në dukje se politika e Kosovës për njohjen e huaj qeveriset nga nevojat dhe dëshirat e aleatëve të saj të mëdhenj, jo nga ndjenjat.
“Kosova do të ndjekë vijën e ShBA-së dhe BE-së, gjë që pritet nga Kosova. Nuk mund të pretendojmë që Kosova të njohë Kataloninë,” tha Peci.
Dren Ajeti, një kërkues për Grupin për Studime Politike dhe Ligjore në Prishtinë, gjithashtu i tha BIRN se Kosova e pa shkëputjen e vet nga Jugosllavia si sui generis – një çështje “unike dhe të paprecendet”.
“Kosova sot dhe shtetasit e saj kanë kaluar në rrethana krejt të ndryshme historike dhe politike krahasuar me territore të tjera me aspirata ndarjeje,” tha Ajeti.
Të gjitha këto “e kanë bërë Kosovën të pakrahasueshme me çështje të tjera,” pohoi ai.
Autonomi, jo pavarësi, për Vojvodinën
Edhe pse referendumi katalan ka shtuar tensionet midis Serbisë dhe Kosovës, shqetësimet reale të Serbisë rreth ndarjes qëndrojnë diku tjetër.
Në ditën e referendumit katalanas, shumë vëzhgues vendas dhe ndërkombëtarë e krahasuan Kataloninë me krahinën veriore të Vojvodinës të Serbisë, e cila është shtëpia e një pakice etnike hungareze, si dhe të tjerëve që kërkojnë më shumë autonomi.
Lidhja e Social Demokratëve të Vojvodinës, LSV, një parti e opozitës që mbron më shumë autonomi për Vojvodinën, vizitoi Kataloninë në ditën e referendumit.
Disa zyrtarë të LSV, përfshirë udhëheqësin e saj, Nenad Çanak, mbështetën referendumin, ndërsa në atdhe, mbështetësit e LSV vunë flamuj katalanas në disa qytete në Vojvodinë.
Sipas kushtetutës serbe, e miratuar në vitin 2006, Vojvodina konsiderohet një “krahinë autonome” me të drejtën për qeverinë, asamblenë dhe buxhetin e saj, e cila është jo më pak se 7 për qind e buxhetit të Republikës së Serbisë.
Kushtetuta thotë gjithashtu se Parlamenti i Serbisë duhet të miratonte një ligj mbi financimin e Vojvodinës deri në fund të vitit 2008, gjë që nuk u bë kurrë.
Zyrtarët e lartë të LSV, përfshirë edhe Presidentin e atëhershëm të Asamblesë së Vojvodinës, Bojan Kostres, u kërkuan qytetarëve të krahinës që të bojkotojnë referendumin kushtetues në vitin 2006, sepse nuk i ktheu Vojvodinës fuqitë ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore që krahina gëzonte nën kushtetutën jugosllave të vitit 1974, që Serbia e zëvendësoi në vitin 1989 gjatë kohës së Sllobodan Millosheviqit.
Një kritik i ashpër i trajtimit të Beogradit ndaj Vojvodinës, LSV kohët e fundit kërkoi që ndryshimet e ardhshme në kushtetutën e Serbisë të garantojnë të drejtat e Vojvodinës.
Nacionalistët serbë, përkundrazi e kritikojnë autonominë e provincës, duke e parë atë si kërcënim për unitetin e vendit dhe duke e quajtur atë shpesh “separatizëm”.
Një nga ata “separatistë”, kreu i Partisë së Vojvodinës, Aleksandar Odziç, tha se nuk dëshiron një shtet të pavarur, por një “Republikë të Vojvodinës” brenda Serbisë.
“Vojvodina mbetet e vetmja çështje e pazgjidhur midis shteteve ish-Jugosllave, kjo është e pamohueshme”, tha ai për BIRN, duke vënë në dukje se të gjashtë ish-republikat federale të Jugosllavisë janë tani shtete të pavarura, përfshirë Kosovën.
Ai nuk e kupton pse Vojvodina duhet të jetë përjashtim, pasi shtoi se partia e tij mbështet gjithashtu të drejtën e qytetarëve katalanas për të vendosur për të ardhmen e tyre. BE duhet të ndryshojë politikën e saj drejt vetëvendosjes dhe pavarësisë, shtoi ai.
Megjithatë, Aleksandar Popov nga Qendra për Rajonalizim, një OJQ, tha për BIRN se referendumi në Kataloni nuk do të nxiste një shtysë për pavarësi nga Serbia.
“Askush nuk kërkon ndarje të Vojvodinës nga Serbia, por për më shumë autonomi, bazuar në kushtetutën e vitit 1974, që do të ishte gjë e mirë për Serbinë dhe Vojvodinën, pasi askush nuk do të kërkonte pavarësi për Vojvodinën”, tha ai.
Çdo kërkesë për autonomi në Serbi, quhet “separatizëm” nga nacionalistët dhe të djathtët, u ankua ai.
Konfuzion te serbët e Bosnjës
Ashtu si në Kosovë, zyrtarët në njësinë serbe boshnjake në fillim shmangën komentimin mbi referendumin katalanas për pothuajse dy ditë të plota, dhe kur dhanë qëndrimet e tyre publike, nuk ishin siç pritej.
Milorad Dodik, Presidenti i Republika Srpskës dhe kreu i Aleancës në pushtet të Social Demokratëve të Pavarur, SNSD, ka kërkuar prej vitesh një referendum mbi pavarësinë e RS.
Pak javë përpara referendumit katalanas, ai e tërhoqi nismën e tij duke thënë se mungonte mbështetja për të.
Pas heshtjes për thuajse një ditë për Kataloninë, Dodik më në fund reagoi, por jo në mbrojtje të katalanasve.
Në vend të kësaj, disi konfuz, ai fajësoi BE-në për lejimin e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.
“Kosova kurrë nuk duhet të ishte lejuar të shpallte pavarësinë dhe të merrte njohje… sepse ajo ishte territor serb praktikisht i rrëmbyer nga anëtarë të pakicës kombëtare shqiptare.
“Shpallja absurde dhe e njëanshme e pavarësisë së Kosovës dhe njohja ndërkombëtare e një krijimi të tillë artificial, zbulohet nga referendumi katalan”, tha Dodik më 3 tetor.
Ai më pas akuzoi bashkësinë ndërkombëtare për standarde të dyfishta dhe se ishte kundër serbëve duke favorizuar të drejtat e myslimanëve në Bosnje – por premtoi se kjo nuk do të dobësonte vullnetin e RS për të vendosur për të ardhmen e saj.
“Një politikë e tillë (armiqësore) na ka forcuar besimin se pa autonominë që na është dhënë në Dejton, nuk do të ketë mbijetesë për ne (serbët)”, tha Dodik duke iu referuar takimit ndërkombëtar të paqes në SHBA në 1995 që krijoi dy entitete autonome të Bosnjës.
Analisti politik i Banja Lukës Srdjan Puhlao tha për BIRN se referendumi katalanas e kishte vënë Dodik dhe zyrtarë të tjerë serbë të Bosnjes në një pozitë të vështirë.
“Nëse mbështesin referendumin, kjo do të ishte problem për Serbinë, e cila prej (mbështetjes së Spanjës ndaj Serbinë mbi) Kosovën, mbështet qëndrimin e Madridit,” tha ai.
Megjithatë, duke qenë në anën e Spanjës, ata po lënë në hije gjithçka që është thënë (për kërkesën e tyre për pavarësi) gjatë viteve të fundit,” tha Puhalo.
Duke folur për Bosnjën si një të tërë – e cila qartazi nuk mbështet separatizmin – Igor Crnadak, ministri i jashtëm boshnjak, i tha ambasadorit spanjoll në Bosnjë se vendi i tij mbështeti integritetin territorial të Spanjës.
Megjithatë, papritur, një grup qytetarësh të Sarajevës u mblodhën më 1 tetor në qendër të qytetit për të mbështetur Kataloninë.
Siç raportoi televizioni N1, tubimi u mbajt për të mbështetur të drejtën e qytetarëve të Katalonjës për referendum, por gjithashtu për të kujtuar ndihmën që Barcelona i kishte dhënë Sarajevës gjatë luftës së Bosnjës në vitet 1992-5.
Hungarezët në Rumani duan më shumë të drejta
Të dielën, ndërsa po zhvilloheshin ngjarjet në Kataloni, në një stadium në Brasov, në Rumaninë qendrore, tifozët e ekipit Steaua me bazë në Bukuresht dhe tifozët e ekipit rival Sepsi Sfantu Gheorghe, një qytet kryesisht hungarez në Transilvani, shkëmbyen fyerje.
“Rumania nuk është shtëpia juaj! Ikni!” kënduan tifozët e ekipit të Bukureshtit.
“Hungari! Hungari! Hungari!” u përgjigjën të tjerët, teksa luanin muzikë popullore hungareze.
Thirrjet nuk përfunduan në përleshje, por policia vendase qe gati të ndërhynte. Shumica e ndeshjeve mes ekipeve të tilla rrezikojnë të përfundojnë në dhunë.
Rreth 1.2 milion hungarezë etnikë në Rumani përbëjnë 6.5 për qind të popullsisë së përgjithshme, sipas regjistrimit të vitit 2011.
Shumë prej tyre jetojnë në një zonë relativisht të koncentruar në Transilvani, e cila ishte pjesë e Hungarisë deri në fund të Luftës së Parë Botërore.
Gjysma e të gjithë hungarezëve etnikë në Rumani janë të ashtuquajturat Szekely, një komunitet hungarez që jetojnë më së shumti në atë që njihet si Toka Szekely në Transilvaninë lindore, në qarqet Harghita dhe Covasna, si dhe në pjesë të qarkut të Mures.
Toka Szekely kishte autonomi deri në vitet 1870, kur Mbretëria e Hungarisë, pastaj pjesë e Austro-Hungarisë, shfuqizoi të gjitha rajonet autonome.
Rajoni rifitoi një farë autonomie në vitin 1952 nën komunistët rumunë derisa udhëheqësi diktatorial Nikola Çaushesku shfuqizoi të gjitha rajonet autonome.
Pas rënies së regjimit komunist në vitin 1989, megjithatë, lëvizja e autonomisë në Tokën Szekely u ringjall.
Kjo ka shkaktuar përplasje me nacionalistët rumunë, të cilët kanë frikë se ky është vetëm një hap drejt kthimit të Transilvanisë te Hungaria.
Në 1995, Hungaria dhe Rumania nënshkruan një traktat ku Hungaria hoqi dorë nga pretendimet territoriale në Transilvani, ndërsa Rumania premtoi të respektojë të drejtat e pakicave.
Hungarezët në Rumani kanë të drejtën e arsimit në gjuhën e tyre amtare dhe në qytetet ku përbëjnë më shumë se 20 për qind të popullsisë kanë të drejtën të përdorin gjuhën e vet në marrëdhëniet me autoritetet lokale.
Më e madhe nga tre partitë etnike hungareze në Rumani, Bashkimi Demokratik i Hungarezëve në Rumani, UDMR, ka pasur gjithmonë përfaqësues në parlament dhe ka qenë pjesë e disa koalicioneve qeveritare.
Megjithatë, ndërsa hungarezët etnikë përkrahin autonominë për Tokën Szekely, anëtarët e UDMR thonë se dëshira e katalanasve për pavarësi të plotë nuk i ngjan situatës së tyre.
Udhëheqësi i partisë në Dhomën e Ulët të Parlamentit, Attila Korodi, tha se krahasimet me Kataloninë vetëm sa dëmtojnë kauzën e autonomisë për hungarezët e Rumanisë.
“Autonomia nënkupton një seri instrumentesh politike dhe administrative për rajonet të caktuara në një vend. Ka një ndryshim (me pavarësinë) dhe kjo është e rëndësishme,” tha Korodi.
Partia, megjithatë, lëshoi një deklaratë që dënon dhunën e parë në Kataloni dhe duke bërë thirrje për dialog. “Nuk ka nevojë për revolta të tjera në Kataloni,” tha ajo të hënën.
Claudiu Padurean, një redaktor gazete në Kluzh, qyteti më i madh i Transilvanisë, tha se mund të mësojmë diçka nga çka ndodhi gjatë referendumit katalanas dhe se është i nevojshëm ndryshimi në mënyrën se si shtetet përballen me pakicat, përfshirë në Rumani.
“Autoritetet duhet të eksplorojnë mënyra të reja për të vlerësuar gjuhët dhe simbolet e pakicave”, tha ai, duke shtuar se respekti i ndërsjellë është çelësi i pajtimit.
Hungarezët në Rumani janë gjithnjë përherë e më të zemëuar, thotë ai, sepse numri i tyre po bie, ndaj disa po e afirmojnë identitetin e tyre më fort se kurrë për të kompensuar rënien demografike. Ai thotë se rumunët në Ukrainë po kalojnë një situatë të ngjashme.
“Është shumë e rëndësishme që afirmimi i identitetit të mos jetë agresiv,” thotë ai. “Nuk ka problem nëse Szekelyt ngrenë flamurin hungarez, për aq kohë sa flamuri rumun dhe flamuri i BE-së janë të pranishëm. Është një formë e respektit minimal dhe një shenjë e normalitetit,” theksoi ai./kallxo.com